Prishtina ende e mbushur me bërllok, kontejnerët përplot

Prishtina vazhdon të jetë e mbushur me bërllok. Mbeturinat e grumbulluara ditëve të fundit ende nuk janë larguar nga rrugët e qytetit, raporton Ekonomia Online.

Përkundër paralajmërimeve të kryetarit Përparim Rama për ndërhyrje nga Komuna, kontejnerët mbeten të tejmbushur dhe situata po rëndohet gjithnjë e më shumë.

“Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon!Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë”, tha Rama të mërkurën.

Kurse, ndërmarrja publike “Pastrimi” vazhdon të jetë e paralizuar për shkak të mungesës së naftës dhe borxheve të akumuluara, duke e bërë të pamundur kryerjen e shërbimeve bazë të pastrimit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Petrit Reçica, tha se kompania ka mbetur pa naftë, për shkak të borxheve të mëdha ndaj furnitorëve dhe deponisë së Kosovës.

“Na është harxhuar krejtësisht nafta. Në vazhdimësi kemi punuar me sasi të cunguar të naftës, sepse me vullnetin dhe mjetet tona kemi arritur disa herë të bëjmë marrëveshje me operatorë që tw na furnizojnë, mirëpo borxhi ka arritur në atë nivel që tash është bërë problem i madh. Nuk kemi vetëm problemin me naftën. Kemi borxhe të akumuluara edhe ndaj deponisë së Kosovës. Edhe pse kemi arritur marrëveshje dy mujore, ata muaj kalojnë shpejt dhe kjo situatë nuk është e qëndrueshme financiarisht,” tha Reçica.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi