Prishtina është mbushur me bërllok! Kontejnerët janë plot e përplot me mbeturina! Madje, edhe në qendër të kryeqytetit! Pamje që shkaktojnë neveri!
Mbase xhirimet dhe fotografitë e Agjencisë së lajmeve Ekonomia Online e pasqyrojnë me plotëni këtë gjendje, që do të duhej të ishte për alarm për pushtetarë, jo vetëm në nivel komunal, por edhe në shkallë vendi.
Qytetarët flasin të pezmatuar për këtë gjendje.
“Këqyre çfarë pishane! Le ne që ne e shohim, po o vëlla e shohin të huajt. Francezi nuk ta qet ku është mirë fotografinë, por ta qet ku është zi e më zi. Nuk e di çfarë kompanie për pastrim. Tri herë në javë të pastrohet. Kryeqytet i i Kosovës o vëlla”, tha qytetari Elmi Krasniqi.
Qytetari Bashkim Hoxha shprehet se mungesa e organizimit në nivel komunal dhe institucional po ndikon drejtpërdrejt në pastërtinë e qytetit.
“Kush i ka fajet ne si qytetarë nuk e dimë, por e di që në lagjen time ka një javë që nuk janë grumbulluar. Çdo papastërti është e dukshme ndikon në ambient, si te të rinjtë, si te fëmijët. Edhe ata që e paguajnë, edhe ata që nuk paguajnë, është përgjegjësia komunale”, tha Hoxha.
Qytetari që nuk deshi të prezantohet shprehu zhgënjimin e thellë me situatën në Prishtinë, duke thënë se qyteti është i mbushur me mbeturina dhe ka humbur çdo rregull.
“Prishtina futë e zezë me mbeturina, me çrregullime, me të gjitha. Nuk ka shpresë që ky kryetar rregullon diçka. Ky është duke e hedhur në humnerë këtë vend “, tha ai.
Një ditë më parë, Kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” njoftoi përmes kumtesës se për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë 2.7 milionë euro, “është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës”.
Më tej në kumtesë të kompanisë “Pastrimi” thuhej se për më shumë se pesë muaj, Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritur.
“Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin e normal të ofrimit të shërbimeve. “Pastrimi” i bën thirrje Komunës së Prishtinës që të veproj urgjentisht në shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit”, thuhet në kumtesën e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”.
Deri më tani, pushteti komunal i Prishtinës nuk ka reaguar.