Me mesazhet “Rrofshin gjyshërit”, “Nënat po i humbin vendet e punës”, “Mos ua prishni lumturinë”, “Kush po mendon për nënat që punojnë?”, prindërit kanë shprehur pakënaqësinë me grevën e filluar më 25 gusht
Dhjetëra prindër kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës me kërkesë zgjidhjen e problemit të grevës në sektorin e arsimit dhe hapjen e institucioneve parashkollore,
Me mesazhet “Rrofshin gjyshërit”, “Nënat po i humbin vendet e punës”, “Mos ua prishni lumturinë”, “Kush po mendon për nënat që punojnë?”, prindërit kanë shprehur pakënaqësinë me grevën e filluar më 25 gusht nga Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).
Prindërit, pjesë e Këshillit të Prindërve të institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë” në Prishtinë, kanë thënë se mbyllja e çerdheve është e paarsyeshme për ta.
Teuta Jahaj tha se mbyllja e çerdheve është e paarsyeshme dhe e papërballueshme, pasi sipas saj, janë detyruar që të marrin pushim nga puna, e po ashtu t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe private.
“Gati një muaj janë mbyllur çerdhet dhe për neve si prindër është e paarsyeshme dhe e papërballueshme mbyllja e tyre dhe për këtë arsye kemi dashur që të bëjmë një protestë simbolike që qeveria të reflektojë në kërkesat tona”, theksoi ajo, duke shtuar se greva u ka shkaktuar pasoja në gjithë organizimin familjar.
Pas qeverisë protestuesit kanë marshuar deri në zyrat e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Javën e kaluar, përfaqësues të SBASHK-ut, të cilët janë në grevë nga 25 gushti, u ulën në tavolinë me kryeministrin Albin Kurti, por nuk arritën ndonjë marrëveshje për pezullimin e grevës.
Grevistët po kërkojnë nga qeveria 100 euro mbi pagë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, i cili ua rritë atyre pagat me koeficient.
Qeveria e Kosovës gjatë këtij muaji ka ndarë buxhet për të ndihmuar disa kategori për t’u përballur me inflacionin, ndër ta, për të gjithë punonjësit e sektorit publik qeveria ndau nga 50 euro për muajt e mbetur të këtij viti.