Pretendohet se Koreja e Veriut mund të dërgojë 25-30 mijë ushtarë të tjerë në Rusi

Në lajmin e CNN të bazuar në një raport të inteligjencës ukrainase, thuhet se Koreja e Veriut do të trefishojë numrin e ushtarëve të saj që luftojnë për Rusinë

Pretendohet se Koreja e Veriut mund të sigurojë një mbështetje ushtarake prej 25-30 mijë trupash me qëllim për të mbështetur Rusinë, e cila vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës, transmeton Anadolu.

Në lajmin e CNN të bazuar në një raport të inteligjencës ukrainase, thuhet se Koreja e Veriut do të trefishojë numrin e ushtarëve të saj që luftojnë për Rusinë.

Në lajm transmetohet se administrata e Phenianit planifikon të dërgojë 25-30 mijë ushtarë të tjerë në Rusi në muajt e ardhshëm për të mbështetur sulmet e saj ndaj Ukrainës.

Pajisjet, armët dhe municionet e nevojshme janë planifikuar të sigurohen për “integrim të mëtejshëm në njësitë luftarake ruse”, thuhet në lajmin në të cilin vihet theksi se ekziston një “probabilitet shumë i lartë” që trupat e Koresë së Veriut të hyjnë në konflikt në disa rajone të Ukrainës që janë pushtuara nga Rusia.

Po ashtu transmetohet se imazhet satelitore kanë zbuluar se përgatitjet për një vendosje të re nga Koreja e Veriut në Rusi u reflektuan në lëvizjet e anijeve dhe avionëve. Ndër të tjera në lajm pretendohet se kjo mund të jetë një shenjë e përgatitjeve për transferimin e trupave nga kufiri i Koresë së Veriut në Rusi në juglindje të Siberisë.

Lajmi vë në dukje se një zyrtar perëndimor i inteligjencës mund të konfirmojë parashikimet se Koreja e Veriut mund të dërgojë deri në 30.000 ushtarë në Rusi.

Kategoritë
BotaLajme