Presidentja Vjosa Osmani fton Abdixhikun në takim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një takim konsultativ për të gjetur zgjidhje lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka mësuar Dukagjini nga burime brenda Presidencës së Kosovës.

Siç mëson më tej Dukagjini, takimi është paraparë të mbahet më 15 maj, në orën 13:00, në ambientet e Zyrës së Presidentes.

Nga i pari i LDK-së është kërkuar që të konfirmohet pjesëmarrja për këtë takim.

Ky takim vjen pas shprehjes së gatishmërisë së Presidentes Osmani për të pritur liderët e të gjitha partive politike në një takim gjithëpërfshirës, nëse ata e konsiderojnë të nevojshëm një angazhim të tillë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, kështu kishte njoftuar para disa ditësh Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Gazeta Blic ka kontaktuar me presidencën dhe LDK-në për të konfirmuar lajmin, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi