Në Forumin Diplomatik të Antalyas, presidentja Osmani pati rastin të shkëmbejë vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër Forumit Diplomatik të Antalyas, ku fillimisht është mirëpritur nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe ministri i Punëve të Jashtme Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar me liderë të shumtë shtetërorë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani ka marrë pjesë në panelin e liderëve, ku së bashku me presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë folur për rëndësinë e bashkëpunimit global dhe rajonal për paqen dhe prosperitetin në interes të qytetarëve.
Në vazhdën e takimeve, presidentja Osmani ka takuar edhe presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian (BE) si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballet rajoni.
Në Forumin Diplomatik të Antalyas, presidentja Osmani pati rastin të shkëmbejë vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me liderë të tjerë botërorë, ndërkaq, në mbrëmje mori pjesë në darkën e organizuar nga presidenti Erdoğan për liderët nga afro 80 shtete të botës.
Presidentja Osmani po ashtu ka takuar presidentin e Guinea Bissaus, Umaro Sissoco Embalo, kryeministrin e Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Singaporit, si dhe përfaqësues të disa shteteve jonjohëse. Në takime të ndara, presidentja po ashtu bisedoi me sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmidt, sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Turkfolëse, si dhe me deputetin e Parlamentit Evropian, Ilhan Kyuchyuk.
“Në të gjitha këto takime presidentja ka potencuar qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale si dhe ka shtyrë përpara tema të interesit të përbashkët me këto shtete dhe organizata”, përfundon njoftimi.