Presidentja kosovare Vjosa Osmani u prit në takim nga homologu i saj islandez

Presidenca njofton se kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit nga Republika e Kosovës në Islandë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga Presidenti i Islandës, Guðni Thorlacius Jóhannesson, në një vizitë pune me qëllim të avancimit të marrëdhënieve bilaterale dhe rrugës euroatlantike të Kosovës, transmeton Anadolu.

Siç njofton Presidenca, kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit nga Republika e Kosovës në Islandë.

Në këtë takim, presidentja Osmani dhe homologu Jóhannesson diskutuan për rritjen e bashkëpunimit gjatë presidencës së Islandës në Këshillin e Evropës.

Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerësoi lidershipin e Islandës në këtë drejtim, derisa shprehu domosdoshmërinë që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, duke nënvizuar progresin e jashtëzakonshëm në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Presidentja kosovare theksoi se qytetarëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi e madhe duke ua mohuar qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si instrument jashtëzakonisht efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Krahas këtyre diskutimeve, dy presidentët kanë biseduar edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Islandës, duke nënvizuar potencialin për rritjen e bashkëpunimit, ndërsa shprehën përkushtimin e tyre për të eksploruar mundësi të reja të bashkëpunimit në të ardhmen.

Presidentja Osmani ka theksuar se ky takim është një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet Kosovës dhe Islandës, si dhe e angazhimit të përbashkët për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë.

Presidentja Osmani më herët është pritur edhe nga kryeministrja e Islandës, Katrín Jakobsdóttir, ku në këtë takim ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Islandës për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare, derisa ka përmendur vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në këtë frymë, ka kërkuar mbështetjen e Islandës, si një nga shtetet themeluese të Aleancës Veri-Atlantike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, do të pritet në takim edhe nga Kryetari i Kuvendit Birgir Ármannsson dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.

Kategoritë
LajmeVendi