Presidenti Trump, Gjirin Persik do ta quajë Gjiri Arabik

Raportohet se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të bëjë një njoftim të ri gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite javën e ardhshme

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Gjirin Persik do ta quajë “Gjiri Arabik” ose “Gjiri i Arabisë”, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të bazuar në zyrtarë të paidentifikuar në administratën amerikane, Trump do të bëjë një njoftim të ri gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite javën e ardhshme.

Trump do ta quajë rajonin e njohur ndërkombëtarisht si Gjiri Persik si “Gjiri Arabik” ose “Gjiri i Arabisë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se Trump do të udhëtojë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe midis 13 dhe 16 majit.

– Përkufizime të ndryshme

Ushtria amerikane e ka quajtur në mënyrë të njëanshme rajonin në fjalë “Gjiri Arabik” në deklaratat dhe imazhet e saj të publikuara për shumë vite me radhë.

Rajoni shfaqet si “Gjiri Persik (Gjiri Arabik)” në Google Maps, por është thjesht “Gjiri Persik” në Apple Maps.

Rajoni, i njohur zakonisht si “Gjiri Persik” që nga shekulli i 16-të, quhet “Gjiri Arabik” nga shumë vende në Lindjen e Mesme.

Rajoni, i cili lidh veriun e Gadishullit Arabik me Oqeanin Indian në Iranin jugperëndimor, është ndër depozitat e rëndësishme të naftës dhe gazit natyror.

– Polemikat e vitit 2017

Përdorimi i emrit “Gjiri Arabik” nga Trump për rajonin në fjalë në vitin 2017 gjatë mandatit të tij të parë shkaktoi polemika.

Presidenti i atëhershëm iranian Hassan Rouhani sugjeroi që Presidenti i SHBA-së Trump duhet të “studiojë gjeografinë”.

“Të gjithë e dinin se miqësia e Trumpit do t’i shitej atij që do të ofronte më shumë. Tani e dimë që edhe gjeografia e tij po shitet”, tha ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.

– Debati për Gjirin e Meksikës

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, duke urdhëruar që Gjiri i Meksikës të riemërtohet “Gjiri i Amerikës”.

“Presidenti Trump po sjell logjikën e shëndoshë në administratë dhe po rinovon themelet e qytetërimit amerikan”, thuhej në urdhrin ekzekutiv.

Kategoritë
BotaLajme