Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, zyrtarisht prezantoi identitetin e ri vizual të Republikës Arabe Siriane, përfshirë stemën e re shtetërore — një shqiponjë prej ari që simbolizon fuqinë, vendosmërinë dhe unitetin. Stema shkaktoi reagime të ndryshme, disa përdorues të rrjeteve sociale vërejtën se i ngjan stemës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e mbajtur në Pallatin Kombëtar në Damask, presidenti al-Sharaa u shpreh se identiteti i ri përfaqëson “Sirinë që nuk pranon ndarje as thellime, por një Siri të bashkuar”.
“Një ditë, në kohë të lashta, lindi një histori rreth një qyteti ku u mblodh një grup njerëzish. Thuhet se atje filloi tregimi i krijimit të parë. Njerëzit u shumuan, punuan tokën, ndërtuan dhe kështu themeluan kryeqytetin e parë të njohur në botë — Damaskun”, tha al-Sharaa, duke folur për rëndësinë simbolike të kryeqytetit të Sirisë.
Ai theksoi se periudha e regjimit të mëparshëm ishte “koha më poshtëruese në historinë e Damaskut”, por tani po vjen një epokë e re.
“Populli i Sirisë, tregimi i Sham-it vazhdon me ju. Koha e rënies tuaj ka kaluar, ka ardhur koha e ngritjes tuaj. Gjakun tuaj nuk e derdhët kot, vuajtjet tuaja u dëgjuan, migrimet tuaja përfunduan, burgjet u hapën, dhe durimi juaj solli fitoren”, u drejtua presidenti sirian.
Al-Sharaa vuri në dukje se stema e re — shqiponja prej ari me 14 pendë që simbolizojnë 14 provincat siriane — përçon një identitet të bazuar në “fuqi, vendosmëri, shpejtësi, aftësi dhe inovacion në veprim”.
“Festimi i sotëm mishëron identitetin e Sirisë dhe popullit të saj në këtë periudhë të re historike. Është një identitet i ndërtuar rreth individit sirian, i cili me vite është mësuar me migrime në kërkim të sigurisë dhe një të ardhme më të mirë. Është koha ta rikthejmë besimin në vetvete, dinjitetin dhe vendin natyral në shtëpi dhe në botë”, tha al-Sharaa.
Stema e re shtetërore do të zëvendësojë versionin ekzistues të shqiponjës që gjendej në dokumente dhe simbole të institucioneve shtetërore. Versioni i ri do të përdoret në të gjitha platformat zyrtare.
Menjëherë u shfaqën reagime në rrjetet sociale, ku disa përdorues nënvizuan ngjashmërinë me shqiponjën amerikane, veçanërisht për qëndrim dhe ngjyrë ari. Megjithatë, autoritetet në Damask theksojnë se ky simbol përfaqëson një Siri të rilindur.