– Masoud Pezeshkian e ka cilësuar “standardin e dyfishtë dhe maksimalizmin” e Washingtonit si pengesën më të madhe për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkia, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka theksuar se një marrëveshje me SHBA-në “nuk është e paarritshme” nëse Washingtoni respekton kornizat ligjore ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Sipas presidencës iraniane, dy liderët diskutuan zhvillimet rajonale, negociatat Iran-SHBA dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Pezeshkian e informoi Putinin për negociatat mes Iranit dhe SHBA-së të ndërmjetësuara nga Pakistani, duke e cilësuar “standardin e dyfishtë dhe maksimalizmin” e Washingtonit si pengesën më të madhe për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë.
Ai tha se Teherani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje “të ekuilibruar dhe të drejtë”, e cila do të garantonte paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon.
“Vija jonë e kuqe janë interesat kombëtare të Iranit dhe të drejtat e popullit iranian”, tha Pezeshkian, duke shtuar se nëse Washingtoni do të respektonte kornizat ligjore ndërkombëtare, arritja e një marrëveshjeje nuk do të ishte e paarritshme.
Presidenti iranian i cilësoi gjithashtu vendet e Gjirit si “vëllezër” të Iranit dhe shprehu keqardhje për përdorimin e bazave ushtarake amerikane në këto vende për sulme ndaj Iranit.
Ai tha se Teherani është i gatshëm të bashkëpunojë me vendet fqinje për arritjen e paqes dhe sigurisë rajonale, pa praninë apo përfshirjen e fuqive nga jashtë rajonit.
Putin, nga ana e tij, përsëriti mbështetjen e Rusisë për përpjekjet diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje politike për luftën dhe shprehu gatishmërinë e Moskës për të vazhduar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, sipas deklaratës.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Iranit, si dhe mbështeti kërkesat e Teheranit për kompensim për dëmet e shkaktuara gjatë luftës dhe garanci afatgjata sigurie kundër sulmeve të tjera.
Dy liderët rikonfirmuan angazhimin e tyre për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të Traktatit të Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik dhe ruajtjen e koordinimit të ngushtë në forumet ndërkombëtare.
Irani dhe Rusia nënshkruan Traktatin e Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik në janar të vitit 2025 për forcimin e bashkëpunimit në disa fusha, përfshirë tregtinë, energjinë, transportin dhe sigurinë.
Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shpërtheu në fund të shkurtit me sulme ndaj Iranit, të pasuara nga sulme hakmarrëse iraniane në rajon.
Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një marrëveshje fillestare në qershor, pas përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit dhe Katarit për t’u dhënë fund armiqësive dhe për t’i hapur rrugë negociatave.
Zbatimi i marrëveshjes që atëherë ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve, përfshirë ato për sigurinë dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
