Presidenti i Bolivisë kritikon SHBA-në dhe Izraelin për sulmet në Gaza

“Një gjenocid po zbatohet aktualisht me vendim të dy vendeve. Po i hiqet sovraniteti dhe liria e tij një vendi (Palestinës). Jehona e luftës po dëgjohet në çdo kontinent”, tha Presidenti bolivian, Luis Arce

Presidenti bolivian, Luis Arce, ka bërë përgjegjës SHBA-në për sulmet e Izraelit në Gaza, ndërsa është shprehur se “gjenocidi po zbatohet aktualisht me vendim të dy vendeve”, transmeton Anadolu.

Arce iu drejtua pjesëmarrësve në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Duke shënjestruar ashpër Izraelin dhe SHBA-në për shkak të atyre që po përjetohen në Gaza, Arce tha: “Një gjenocid po zbatohet aktualisht me vendim të dy vendeve. Po i hiqet sovraniteti dhe liria e tij një vendi (Palestinës). Jehona e luftës po dëgjohet në çdo kontinent”.

Arce kritikoi aktivitetin ushtarak amerikan në rajonin e Karaibeve. “Ata thonë se shkuan atje për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, ata së pari do të përballeshin me problemet në vendin e tyre”, tha ai.

Pasi akuzoi administratën e Washingtonit se po shkakton “vuajtje dhe vdekje” në botë, Arce e përshkroi vendosjen e raketave, avionëve, helikopterëve dhe nëndetëseve nga Komanda Jugore e SHBA-së në rajonin e Karaibeve si një “kërcënim” për Amerikën Latine.

Arce mbrojti idenë se SHBA-ja po përpiqet “të kapë” burimet natyrore të Venezuelës nën maskën e luftës kundër drogës dhe i bëri thirrje OKB-së që të mbajë qëndrim kundër kësaj.

Duke kujtuar se OKB-ja u krijua 80 vjet më parë për të parandaluar luftën dhe mizoritë, Arce paralajmëroi se “Varfëria, padrejtësia dhe pabarazia janë në nivele më të larta. Nëse nuk përgjigjemi në kohë, rreziku i zhdukjes së paqes që ekziston ende dhe një lloj i ri lufte të tretë botërore që përfshin planetin është i pashmangshëm”.

Arce theksoi natyrën detyruese të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe nevojën për reformë themelore të Këshillit të Sigurimit.

Kategoritë
BotaLajme