Duke folur në Samitin e 3-të Botëror të Ekonomisë Islame, të mbajtur në Qendrën Financiare të Stambollit, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se aty ku ka kamatë dhe konkurrencë joetike nuk mund të ketë bereqet.
Presidenti Erdoğan vazhdoi angazhimet e tij në Stamboll në ditën e fundit të javës dhe, në këtë kuadër, mori pjesë në Samitin e 3-të Botëror të Ekonomisë Islame në Qendrën Financiare të Stambollit.
Ai e nisi fjalimin duke theksuar se Stambolli është një qytet “i bekuar” që lidh kontinente, kultura dhe zemra, ndërsa shprehu kënaqësinë për mikpritjen e mysafirëve nga vende të ndryshme të botës.
Në vazhdim të fjalës së tij, Erdoğan nënvizoi se aty ku ekziston kamata nuk mund të ketë bereqet.
Po ashtu, ai tha se edhe aty ku ka konkurrencë joetike dhe jo morale nuk mund të ketë bereqet.
“Prandaj, bereqeti është një koncept që nuk mund të shpjegohet nga teoritë ekonomike kapitaliste. Aty ku ka kamatë, nuk ka bereqet.
Aty ku ka shfrytëzim, padrejtësi dhe konkurrencë joetike e jomorale, nuk mund të ketë bereqet. Në një mjedis ku merret parasysh vetëm maksimizimi i fitimit dhe etja për konsum, ndërsa përjashtohen mirëqenia dhe drejtësia shoqërore, bereqeti nuk mund të gjejë vend.
Ekonomia islame ndërtohet mbi vlera si drejtësia, morali, virtyti, altruizmi, ndarja e rrezikut, qëndrueshmëria dhe mirëqenia sociale.
Ajo nuk synon vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe forcimin e strukturës shoqërore dhe mbrojtjen e mjedisit. Ajo promovon bamirësinë, ndihmën, solidaritetin dhe mbrojtjen e grupeve në nevojë”, tha Erdoğan.
“Uroj që samiti të sjellë të mira për mbarë njerëzimin”
Duke tërhequr vëmendjen te panelet, sesionet dhe aktivitetet e organizuara në kuadër të samitit, Erdoğan tha:
“Shpresoj që analizat, vlerësimet, propozimet dhe kritikat që do të paraqiten këtu të jenë të dobishme për vendet tona, për botën islame dhe për mbarë njerëzimin.”
Ai u rekomandoi mysafirëve të ardhur nga jashtë që të zbulojnë bukuritë historike, kulturore dhe natyrore të Stambollit.
“Besoj se do ta kujtoni për vite të tëra kohën që kaloni në Stamboll”
“Besoj se kohën që kaloni këtu dhe atmosferën shpirtërore të Stambollit do ta kujtoni me kënaqësi dhe paqe në zemër për shumë vite. Gjithashtu, ju përcjell përshëndetjet dhe dashurinë e 86 milionë qytetarëve tanë për vëllezërit dhe motrat që jetojnë në vendet tuaja.
Sot dua ta kujtoj edhe një herë me mëshirë themeluesin e Grupit Albaraka dhe një nga pionierët e financës islame, Shejh Salih Abdullah Kamil. Lus Zotin që vendi i tij të jetë Xheneti.
Gjithashtu, falënderoj Abdullah Salih Kamilin, i cili po vazhdon idetë dhe idealet e Shejh Salihit të ndjerë dhe po e forcon trashëgiminë që ai ndërtoi me projekte të reja”, tha Presidenti Erdoğan.











