Bllokadat e mbështetura nga sindikatat e punëtorëve dhe fermerët kanë shkaktuar mungesa të ushqimeve, karburanteve dhe furnizimeve mjekësore në disa pjesë të vendit, si dhe kanë penguar aktivitetin ekonomik gjatë 50 ditëve të fundit
Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas javësh protestash kundër qeverisë dhe bllokadash rrugore, të cilat janë përshkallëzuar në një krizë më të gjerë politike, transmeton Anadolu.
Sipas CNN-së, protestat e mbështetura nga sindikatat e punëtorëve dhe fermerët kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit Paz për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe presioneve ekonomike.
Sipas raportit, bllokadat kanë shkaktuar mungesa të ushqimeve, karburanteve dhe furnizimeve mjekësore në disa pjesë të vendit, si dhe kanë penguar aktivitetin ekonomik gjatë 50 ditëve të fundit.
Në një fjalim televiziv, Paz tha se kishte urdhëruar zbatimin e gjendjes së jashtëzakonshme për të rikthyer qarkullimin në rrugët e vendit.
“Bolivianët nuk mund të vazhdojnë të mbahen peng nga bllokadat që i pengojnë të punojnë, të studiojnë, të marrin kujdes mjekësor, të furnizohen dhe të sigurojnë jetesën për familjet e tyre”, tha ai.
Sipas raportit, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme hap rrugën për dislokimin e ushtrisë me qëllim rivendosjen e rendit në të gjithë vendin.













