Presidenti azerbajxhanas takohet me kryediplomatin turk dhe ministrin e Mbrojtjes

Zyrtarët e lartë turq mbërritën në kryeqytetin Baku për takime me presidentin Aliyev dhe zyrtarë të tjerë të Azerbajxhanit, në ditën e çlirimit të qytetit Shusha.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, si dhe dhe ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e lartë turq mbërritën në kryeqytetin Baku për takime me presidentin Aliyev dhe zyrtarë të tjerë të Azerbajxhanit.

Duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Azerbajxhan një ditë historike, Çavuşoğlu i tha Aliyev-it: “Ne jemi gjithmonë shumë të lumtur që jemi në Baku, por jemi veçanërisht të lumtur sot. Për shkak se ushtria heroike e Azerbajxhanit çliroi qytetin antik Shusha nga pushtimi armen, nën udhëheqjen tuaj komanduese”.

Çavuşoğlu përcolli gjithashtu përshëndetjet nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke uruar Azerbajxhanin dhe popullin e tij për fitoren e shumëpritur.

Akar gjithashtu shprehu gëzim për çlirimin e qytetit Shusha, duke thënë: “Ne mbështesim vëllezërit dhe motrat tona azerbajxhanase në luftën e tyre 30-vjeçare për të rifituar territoret e tyre nga pushtimi”.

Duke cituar thënien se Turqia dhe Azerbajxhani janë “një komb-dy shtete”, Akar theksoi se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e saj të palëkundur për shtetin e saj simotër, Azerbajxhanin.

Nga pala azerbajxhanase, të pranishëm në takim ishin edhe kryediplomati Ceyhun Bayramov, ministri i Mbrojtjes, Zakir Hasanov, si dhe ndihmësi i presidentit, Hikmet Hajiyev.

Presidenti i Azerbajxhanit njoftoi sot çlirimin e qytetit kryesor Shusha nga pushtimi armen.

Qyteti Shusha, i cili u okupua nga forcat armene më 8 maj 1992, ka një rëndësi shumë të madhe në çlirimin e Malësisë së Karabakut. Ai ndodhet në afërsi të qytetit Khankendi, që është qyteti më i madh në rajon.

Shusha njihet si një simbol i historisë dhe kulturës azerbajxhanase dhe është vendlindja e shumë muzikantëve, kompozitorëve dhe studiuesve të shquar azerbajxhanas.

Kategoritë
BotaLajme