Presidenti apo kryeministri? Kush duhet të zgjidhet i pari sipas Enver Hasanit

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se partitë politike në vend fillimisht duhet të procedojnë me zgjedhjen e të parit të Republikës para kryeministrit, meqë sipas tij ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund të mandatojë dikë për të krijuar Qeverinë e re. Megjithatë në praktika të mëhershme ka ndodhur. Jakup Krasniqi nga cilësia e ushtruesit të detyrës së presidentit e kishte mandatuar Hashim Thaçin për kryeministër. E një vendim i tillë i Krasniqit, sipas ish-kreut të Kushtetueses kishte qenë gabim e që asnjëherë nuk ishte sfiduar në Gjykatë.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, po thotë që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhja e krerëve të tri institucioneve të shtetit duhet të fillojë nga Kuvendi i Kosovës, Presidenca dhe në fund Qeveria.

“Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues (Kuvendi i Kosovës), vazhdon me shefin e shtetit (Presidenti i Republikës), i cili pasohet nga ekzekutivi (Qeveria e Kosovës)”, ka thënë Hasani për Koha.net.

Megjithatë në  praktikat e ndjekura ndër vite nga institucionet e Republikës së Kosovës, kishte ndodhur që një ushtrues detyre i presidentit të nominojë një kandidat për kryeministër.

Kështu kishte vepruar, Jakup Krasniqi, më 18 shkurt të vitit 2011, atë kohë në cilësinë e ushtruesit të detyrës së presidentit kishte nominuar Hashim Thaçin për krijimin e Qeverisë së re.

Një gjë të tillë Krasniqi e kishte bërë duke u thirrur në Nenin 90, Nenin 84 pika 14 dhe në Nenin 95 paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe në vendimin numër 231-2011 të datës 7 shkuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e zgjedhjeve.

“Duke u bazuar në nenin 90, në nenin 84 pika 14, në nenin 95 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në Vendimin Nr.231 – 2011, datë 07 shkurt 2011 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2010, U.D. së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka nxjerrë vendim për nominimin e z.Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë Gazeta Express ka kontaktuar ish-kreun e Kushteuteses, Enver Hasanin, i cili sqaron situatën dhe thotë se vendimi i atëhershëm i Jakup Krasniqit kishte qenë gabim, por nuk ishte sfiduar asnjëherë në Gjykatë.

“Këtu janë tri gjëra që duhen dalluar. E para, fakti që njëherë është vepruar ashtu nuk do të thotë se ashtu e thotë Kushtetuta dhe se ajo është rrugë e duhur kushtetuese. Ka qenë gabim. Askush nuk e ka sfiduar në Gjykatë atëherë. Një rrugë e tillë ka synuar të ndiqet me zgjedhjen e Pacollit dhe dihet epilogu. E dyta, Jakup Krasniqi nuk ka qenë kandidat për president. E treta dhe e fundit, hierarkia e normave kushtetuese që normojnë rolin dhe pozitën e organeve shtetërore duhet të respektohet sepse kështu është në 99 për qind të kushtetutave të vendeve të Evropës që janë demokraci kushtetuese parlamentare me rregullim shtetëror republikan”, ka thënë Enver Hasani për Gazetën Express.

Me qëndrimin e Hasanit nuk është pajtuar mbrëmë zyratri i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Ai në një intervistë për T7 ka thënë se do të procedojnë me zgjedhjen e kryeministrit dhe më pas të presidentit.

Kategoritë
LajmeVendi