Presidenti amerikan Trump po ndërton një sallë të re balloresh në Shtëpinë e Bardhë me vlerë 200 milionë dollarë

Presidenti i SHBA, Donald Trump, po shton vulën e tij personale në Shtëpinë e Bardhë me një projekt për një sallë të re balloresh me kosto 200 milionë dollarë. Punimet do të nisin në shtator, dhe, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, financimi do të vijë nga Trump dhe disa donatorë të paidentifikuar.

Leavitt prezantoi projektin në një konferencë për shtyp të enjten, duke treguar skica të produktit final, dhe deklaroi se ai do të përfundojë “shumë para” mbarimit të mandatit të Trumpit.

“Jemi krenarë të njoftojmë se do të fillojë ndërtimi i sallës së re të balloresh në Shtëpinë e Bardhë. Për 150 vjet, presidentë, administrata dhe stafi kanë kërkuar një hapësirë më të madhe për ngjarje, që mund të strehonte më shumë të ftuar sesa tani. Shtëpia e Bardhë është ndër ndërtesat më të bukura dhe më historike në botë, por aktualisht nuk mund të presë evente madhështore pa vendosur një tendë të madhe e të shëmtuar rreth 100 metra nga hyrja.”

Ky është ndryshimi më i fundit që Trump ka sjellë në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht po ndërtohet “Kopshti i Trëndafilave” dhe po zëvendësohet pjesërisht trotuari me bar. Ai ka paguar gjithashtu për vendosjen e dy shtizave 24 metra të larta për flamuj në oborrin verior dhe jugor.

Trump ka riorganizuar edhe Zyrën Ovale me shumë detaje prej ari, përfshirë korniza fotografish dhe mobilje përreth oxhakut.

Skicat artistike tregojnë se edhe sallja e re do të jetë e mbushur me zbukurime ari, të ngjashme me ato në sallën e balloresh në klubin e Trumpit, Mar-a-Lago në Florida.

Trump ka folur gjatë për dëshirën e tij për një sallë të tillë në Shtëpinë e Bardhë, të ngjashme me atë në Mar-a-Lago – të cilën herë pas here e quante “Shtëpia e Bardhë Dimërore”.

Në fushën e tij të golfit Turnberry në Skoci fundjavën e fundit, ai i tha Presidentes së Këshillit Europian, Ursula von der Leyen:

“E dini, sapo ndërtuam këtë sallë, dhe jemi duke ndërtuar një sallë të mrekullueshme balloresh në Shtëpinë e Bardhë.”

Të enjten në mbrëmje, gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv në Dhomën Roosevelt, Trump tha se kanë angazhuar “arkitektët dhe inxhinierët më të mirë” dhe se projekti do të jetë “i klasit të parë”.

“Jam i aftë të ndërtoj. Do ta bëjmë shpejt dhe me kohë. Do të jetë një kryevepër. Gjithmonë kam thënë se do të bëj diçka për sallën e balloresh, sepse duhet të kemi një të tillë. Kështu që do ta bëjmë. Do të jetë një projekt trashëgimie i shkëlqyer dhe do të jetë i veçantë.”

Salla e re do të jetë e ndarë nga ndërtesa kryesore dhe do të vendoset pranë Wingut Lindor të Shtëpisë së Bardhë.

“Nuk do të ndërhyjë tek ndërtesa ekzistuese… Do të jetë afër, por pa e prekur, dhe do t’i japë plotësisht nder ndërtimit ekzistues, për të cilin jam adhuruesi më i madh. Ajo është e preferuara ime.”

Kategoritë
BotaLajme