Presidencialet në SHBA – Telefonata automatike: Mos dilni për të votuar; FBI-ja nis hetimet

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju-Jorkut kanë nisur hetime për një numër telefonatash automatike, të cilat u bënin thirrje njerëzve të mos dilnin për të votuar.

Një zyrtar i Departamentit të Sigurisë së Brendshme të SHBA-së bëri me dije se një hetim i gjithanshëm është hapur nga FBI-ja në lidhje me telefonatat automatike me thirrjen “Përshëndetje! Kjo është vetëm një telefonatë provë. Është koha për të ndenjur në shtëpi. Qëndroni të sigurt dhe qëndroni në shtëpi!”, mesazh ky që synonte t’i mbante zgjedhësit larg qendrave të votimit.

Duke theksuar se kësisoj telefonatash automatike mund të bëhen në çdo zgjedhje, zyrtari u bëri thirrje votuesve që të ruajnë qetësinë dhe vuri në pah se FBI-ja po vazhdon hetimet e saj për këtë çështje.

Kategoritë
BotaLajme