Presidencialet në SHBA – Ende pa fitues, mbizotërojnë paqartësia dhe protestat

Paqartësia në zgjedhjet 59. presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe debatet mbi votat postare u protestuan në shumë shtete të vendit.

Manifestuesit dolën në rrugë për natën e dytë radhazi në të katër anët e vendit dhe sidomos në Nju-Jork, Filadelfia, Çikago e Los Anxhelos.

Zgjedhësit demokratë, të cilët vërshuan rrugëve në dy zona të ndryshme të Nju-Jorkut – ku fitues u shpall kandidati demokrat, Joe Biden – bënë një deklaratë për shtyp pranë Kullës “Trump” (Trump Tower) në Rrugën 5. të Manhatanit dhe pastaj vazhduan marshimin.

Protestuesit bllokuan rrugën pranë Sheshit “Union”, ku u përballën me ndërhyrjen e policisë dhe shumë prej tyre u arrestuan.

Teksa në qytete të tilla si Filadelfia, Detroit dhe Çikago demonstruesit zhvilluan marshime paqësore me parullat “Numëro të gjitha votat”, në Miçigan, një nga shtetet kryesore në garën presidenciale, u regjistruan ngjarje të dhunshme.

Në Los Anxhelos, protestat e zhvilluara të martën përfunduan me arrestime; kurse të mërkurën ishin disi më të qeta falë masave të hershme të policisë.

Kurse në Mineapolis, qytet ku në muajin maj të këtij viti dhuna policore i mori jetën afroamerikanit George Floyd, forcat e rendit arrestuan protestuesit që kishin bllokuar autostradën “I-94”.

Rreth 30 persona në qytetin Baltimor të shtetit të Merilendit protestuan në mënyrë paqësore shpalljen e hershme të fitores nga republikani Trump, kurse në kryeqytetin Uashington (DC) të vendit Departamenti i Policisë njoftoi arrestimin e 4 vetave për agresion dhe nxitje të dhunës.

Ndërsa në Detroit të Miçiganit, shtet ku Partia Republikane kërkon rinumërimin e votave, një grup zgjedhësit republikanë debatuan me zyrtarët që nuk i lejuan të hyjnë në qendrën e numërimit.

Grupi që hodhi slogane të llojit “Ejani të hyjmë” dhe “Ndalni numërimin”, u shpërnda me forcë nga policia.

Protestat pritet të vazhdojnë sot dhe nesër në shumë qytete amerikane.

Kategoritë
BotaLajme