Zyrtarët e Ukrainës dhe Rusisë kanë përfunduar sot bisedimet në Stamboll. Ishin këto bisedimet e para direkte ndërmjet dy palëve që nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022, dhe u mbajtën pa praninë e presidentit Volodimir Zelensky nga njëra anë dhe Vladimir Putinit nga ana tjetër. Shpresat për ndonjë përparim të rëndësishëm ishin të kufizuara.
Bisedimet u zhvilluan pasi në Kiev më 9 maj u takuan presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe ai polak Donald Tusk. Pas një bisede telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ata i bënë thirrje Rusisë për një armëpushim 30-ditor dhe kërcënuan me sanksione nëse nuk pranohet. Vladimir Putin, në përgjigje të ultimatumit të tyre, e ftoi Ukrainën për bisedime direkte në Stamboll. Edhe pse u mendua për një kohë të gjatë se Putin, Zelensky dhe Trump mund të uleshin në të njëjtën tryezë në qytetin turk, kjo nuk ndodhi, dhe kështu Ukraina dhe Rusia dërguan delegacione. Që atëherë ishte e qartë se nuk duhej të priteshin shumë rezultate, dhe në fund ashtu ndodhi.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili kryesoi bisedimet e sotme, tha se ky ishte një “ditë e rëndësishme për paqen botërore”.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, Fidan tha se të dy palët ranë dakord të shkëmbejnë nga 1.000 të burgosur lufte si një “masë për ndërtimin e besimit”.
Nëse realizohet, ky do të ishte shkëmbimi më i madh që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarët rusë dhe ukrainas gjithashtu ranë dakord të “ndajnë me shkrim me palën tjetër kushtet që do të mundësonin arritjen e një armëpushimi”, shkroi ai.
Palët gjithashtu ranë dakord në parim që të takohen përsëri.
Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të “bëjë çdo përpjekje për të mundësuar arritjen e një paqeje të qëndrueshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, konfirmoi se sot ka biseduar me Trumpin, Macronin, Merzin, Starmerin dhe Tuskun.
“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të arritur një paqe të drejtë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë – nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe ndalimin e vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë derisa ajo të jetë e gatshme të përfundojë luftën. Faleminderit të gjithëve në botë që ndihmojnë”, tha Zelensky.
Një burim ukrainas që foli për Reuters i përshkroi kërkesat ruse si “të papranueshme”, ndërsa një tjetër për Associated Press akuzoi Kremlinin se po vendos “kërkesa të papranueshme” ndaj Kievit për të tërhequr forcat nga një pjesë e territorit.
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, u tha gazetarëve se bisedimet u përqendruan kryesisht në armëpushimin, shkëmbimin e të burgosurve dhe një takim të mundshëm presidencial.
Shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se pala e tij është “në përgjithësi e kënaqur” me takimin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve turke Anadolu. Ai shtoi se të dyja palët ranë dakord të paraqesin vizionin e tyre për armëpushimin, pas së cilës bisedimet mund të vazhdojnë.
“Moskva ka ‘marrë parasysh’ kërkesën ukrainase që presidenti rus Vladimir Putin të takohet me homologun e tij ukrainas Volodimir Zelensky”, shtoi ai.