Polonia porositi tanket më të avancuara luftarake nga Korea

Polonia ka porositur nga kompania koreano-jugore Hyundai Rotem edhe 180 tanke K2 Black Panther. Marrëveshja, me vlerë gjashtë miliardë dollarë, është eksporti i parë i armëve gjatë mandatit të presidentit të zgjedhur së fundmi të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.

Sipas marrëveshjes midis Hyundai Rotem dhe holdingut mbrojtës polak PGZ, 63 nga 180 tanket do të montohen në Poloni. Ajo përfshin konfigurime të përmirësuara të tankeve, transferim teknologjie dhe mbështetje të plotë për mirëmbajtje, riparim dhe rinovim.

“Qeveria ka demonstruar angazhim të fortë për transferimin e teknologjisë dhe bashkëpunimin ushtarak, duke fituar besim të thellë nga Polonia përmes formave të ndryshme mbështetjeje politike, përfshirë financimin e eksportit të armëve,” tha Agjencia Shtetërore e Mbrojtjes e Koresë së Jugut.

Ministria polake e Mbrojtjes porositi në 2022-ën 180 tanke K2 Black Panther nga Hyundai Rotem, me vlerë 3.37 miliardë dollarë. Ajo ishte pjesë e një pakete më të gjerë armësh, me vlerë 22 miliardë dollarë, që përfshinte gjithashtu 212 haubica vetë-ecëse K9, 48 avionë luftarakë FA-50 dhe sisteme multiple lëshimi raketash Chunmoo. Me këtë marrëveshje, Polonia u bë importuesi më i madh i armëve koreane.

Sipas Defence Blog, ky marrëveshje përputhet me Planin e Rindërtimit të Kapaciteteve Mbrojtëse të BE-së dhe tregon se Seuli po bëhet një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm në tregun global të mbrojtjes.

K2 Black Panther është një nga tanket më të avancuara luftarake: i lëvizshëm, me blindazh shumë-shtresor dhe sistem digjital drejtimi zjarri, dhe plotësisht i integruar me armatimet e tjera të aleatëve të NATO-s.

Kategoritë
BotaLajme