Policia e Serbisë ndalon organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se Radoiçiq u ndalua në Beograd pas kontrollit të banesës dhe objekteve të tjera

Milan Radoiçiq, ish-zyrtari i Listës Serbe, i cili pranoi se organizoi grupin që vrau një pjesëtar të Policisë së Kosovës në një sulm në fshatin Banjskë më 24 shtator, u urdhërua të ndalohet për 48 orë, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Radoiçiq u ndalua në Beograd pas kontrollit të banesës dhe objekteve të tjera.

Në deklaratë thuhet se “më 3 tetor, zyrtarë policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është ndaluar nga policia deri në 48 orë”.

Radoiçiq është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Radoiçiq më herët ka pranuar se ka organizuar personalisht një grup sulmuesish të armatosur që janë përgjegjës për konfliktin në veri të Kosovës dhe se nuk e ka njoftuar askënd për qëllimin e tij.

Radoiçiq është filmuar nga një dron i Policisë së Kosovës në manastirin e Banjskës.

Kategoritë
LajmeRajoni