Policia e Kosovës (PK) dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë bërë publike disa rregulla dhe çështje të sigurisë për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit e cila zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishitnë, në kuadër të kualifikimeve Euro 2024.
Policia dhe FFK-ja njoftojnë opinionin e gjerë se në organizimin e kësaj ndeshje janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm.
“Është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes; shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike; ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet; parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike; shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj; mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në komunikatën e policisë.
Gjithashtu aty theksohet se para, gjatë dhe pas ndeshjes do të mbikëqyret trafiku, ndërsa rreth stadiumit ku zhvillohet ndeshja do të lejohet vetëm qarkullimi i këmbësorëve.
Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj autoritetet kosovare kërkojnë nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara.
Ndër rregullat e parapara janë përfshirë “hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 6 pasdite, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët”, gjithashtu kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë.
“Ndërkaq, gjërat e palejuara përfshijnë: mjetet piroteknike, shishet e qelqit pavarësisht madhësisë, shishet e plastikës pavarësisht madhësisë, pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh), ombrella, armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.), kamera profesionale dhe video kamera dhe çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar”, thuhet në njoftim.
Policia tutje njofton se përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me Federaten e Futbollit të Kosovës dhe aktorëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshjeje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin.