Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i hodhi poshtë kritikat e presidentit Zoran Milanoviq, se Franca i ka shitur Kroacisë “Rafale” të përdorur, ndërsa Serbisë po i shet avionë të rinj, duke shtuar se Rafale-t që do të shkojnë në Beograd nuk do të kenë pajisje të NATO-s.
Milanoviq të premten deklaroi se francezët i kanë “dhënë” Kroacisë avionë të përdorur, ndërsa Serbisë i kanë shitur të rinj, prandaj, sipas tij, Kroacia tani duhet të blejë pajisje të reja.
Ai tha: “Kjo është aleancë, partneritet? Kjo nuk bëhet”.
Plenkoviq dje, gjatë qëndrimit në Zagreb të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, u përgjigj duke thënë se presidenti, edhe pse është njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë, nuk merr pjesë në proceset e blerjeve ushtarake, ndërsa më pas është i gatshëm të sulmojë në mënyrë të papërshtatshme.
Ai shtoi se avionët luftarakë francezë janë blerë në një proces transparent me oferta konkurruese, pas së cilës u mor vendimi për blerjen e avionëve “Rafale” të gjeneratës së katërt, gjë që ishte një zgjedhje e shkëlqyer për shumën e investuar dhe për performancat që i nevojiten Kroacisë.
“Serbia, disa vite më pas, po blen avionë të rinj për tre miliardë euro, ndërsa Kroacia të vetët i ka paguar një miliard”, tha Plenkoviq, duke shtuar se Rafale-t që shkojnë në Beograd nuk do të kenë pajisje të NATO-s si ata kroatë, raporton Hina.


















