Nëse gjithçka shkon sipas planit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 26 qershor do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën dje, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tregoi për aktivitetet brenda qendrave të numërimit të votave deri te shpallja e rezultateve përfundimtare dhe për planin që e kanë miratuar në fillim të procesit zgjedhor.
“Sipas planifikimeve të vendosura nga ana e KQZ-së në planin e aktiviteteve të miratuara qysh në fillim të këtij procesi zgjedhor, në rast se nuk ka ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më datën 26 qershor. Pra, ky është parashikim apo planifikim në planin operacional të aktiviteteve të KQZ-së”, tha ai.
Elezi tha se “certifikimi i rezultateve përfundimtare dhe njëkohësisht përmbyllja e procesit zgjedhor planifikohet të bëhet deri më datën 6 korrik”.
Zëdhënësi sqaroi se kjo mund të shtyhet përtej datave të planifikuara, varësisht nga ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e më pas edhe në Gjykatën Supreme.
“Duhet ta sqarojmë se këto janë vetëm planifikme, sepse krejt kjo varet nga ecuria e aktiviteteve, dinamikës që zhvillohet në këto qendra. Gjithashtu, mes shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit ka një proces ankimor, i cili duhet të zhvillohet në institucione të ndryshme siç është PZAP dhe Gjykata Supreme”, tha ai.










