Përmbysje e madhe e Washingtonit: SHBA-ja tërheq bombarduesit strategjikë dhe armët hipersonike nga Evropa

Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të përgjysmojnë numrin e forcave të tyre për “goditje të thella” (deep strike) të dislokuara në Evropë, gjë që përfshin aeroplanmbajtëse, bombardues strategjikë dhe avionë të tjerë luftarakë.

Ky veprim pasqyron presionin gjithnjë e më të madh të Washingtonit ndaj Evropës që të forcojë urgjentisht kapacitetet e veta ushtarake, raportoi televizioni polak TVP World.

Këshilltari kryesor politik i Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, Alexandr Velez-Green, i njoftoi aleatët në NATO për këto synime të SHBA-së të premten e kaluar. Sipas burimeve të televizionit polak, Washingtoni pret që vendet evropiane të propozojnë plane për plotësimin e boshllëkut të krijuar para samitit të NATO-s në Ankara, i planifikuar për 7 dhe 8 korrik.

Një burim nga strukturat e NATO-s theksoi se ky plan amerikan për tërheqjen e gjysmës së këtyre forcave strategjike nuk lidhet drejtpërdrejt me tërheqjen fizike të ushtarëve amerikanë nga disa vende evropiane, e cila ishte paralajmëruar më herët.

Burime diplomatike rikujtojnë se SHBA-ja prej kohësh paralajmëron për zhvendosjen e resurseve të saj nga Evropa, me qëllim që t’i detyrojë aleatët evropianë të maksimizojnë kapacitetet e tyre për frenimin e Rusisë dhe njëkohësisht të zvogëlojnë varësinë e kontinentit të vjetër nga Amerika në aspektin e sigurisë.

“Administrata e presidentit Donald Trump në strategjinë e saj të sigurisë kombëtare të muajit dhjetor të vitit të kaluar ka theksuar qartë se Evropa duhet të marrë mbi vete pjesën më të madhe të barrës për mbrojtjen e saj”, tha një burim diplomatik.

Bartja e barrës mbi shpinën e Evropës

Ekspertja e institutit RUSI (think-tanku më i vjetër në botë për mbrojtje dhe siguri) dhe ish-zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, deklaroi për TVP World se reduktimi amerikan ka të bëjë kryesisht me forcat që do të duhej të dislokoheshin në Evropë në rast krize ose konflikti, dhe jo me trupat që aktualisht janë të stacionuara në vendet evropiane anëtare të NATO-s.

“Ky ndryshim në kuadër të dislokimeve në kohë krize ka pasoja potencialisht më të mëdha sa i përket bartjes së barrës brenda aleancës sesa vetë dislokimi apo rotacioni i disa mijëra ushtarëve”, theksoi Lungescu.

Polonia dhe aleatët e tjerë të NATO-s u befasuan në fillim të majit kur ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndaloi dislokimin e planifikuar të 4.000 ushtarëve në këtë vend. Presidenti Trump më vonë e ndryshoi atë vendim, duke i premtuar Varshavës “5.000 ushtarë shtesë”.

Tensione që kërcënojnë Aleancën

Pavarësisht lëshimeve të herëpashershme, Trump vazhdon t’i kritikojë aleatët evropianë për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje dhe kërcënon me tërheqjen e trupave nga Gjermania.

Tensionet transatlantike po nxiten edhe nga ambiciet e kreut të Shtëpisë së Bardhë për marrjen nën kontroll të Grenlandës, territorit danez përtej detit. Përveç kësaj, Trumpin e ka zemëruar edhe mungesa e mbështetjes së aleatëve evropianë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila u bllokua pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit. Në kulmin e pakënaqësisë, presidenti amerikan deklaroi madje se po shqyrton mundësinë e daljes nga NATO.

Çfarë janë në të vërtetë “forcat për goditje të thella” amerikane?

Forcat për goditje të thella (Deep Strike Forces) përfaqësojnë kapacitetet elitare të ushtrisë amerikane, përfshirë marinën dhe aviacionin, të dizajnuara për të depërtuar mbrojtjen armike dhe për të shkatërruar objektiva strategjike dhe taktike thellë në prapavijën e armikut – në distanca prej disa dhjetëra deri në mijëra kilometra.

Shtyllat kryesore të këtyre forcave përfshijnë:

  • Armë hipersonike: Mundësojnë goditje precize konvencionale në distanca të mëdha me shpejtësi mbi 5 Mach.
  • Sisteme me precizion të lartë: Raketa të lëshuara nga sistemet HIMARS ose M270 MLRS, që godasin objektiva në distanca mbi 400 kilometra.
  • Raketa lundruese: Veçanërisht raketat Tomahawk, të cilat lëshohen nga bateri tokësore dhe nëndetëse.
  • Artileri e avancuar: Topa të aftë për zjarr preciz në distanca mbi 70 kilometra.
  • Aviacion strategjik: Përfshin bombarduesit Boeing B-52H Stratofortress (të aftë për të mbajtur armë bërthamore), bombarduesit “të padukshëm” Northrop B-2 Spirit, bombarduesit supersonikë me gjeometri të ndryshueshme të krahëve Rockwell B-1B Lancer, si dhe bombarduesin më modern stealth që është në zhvillim – Northrop Grumman B-21 Raider.
Kategoritë
BotaLajme