Përçarje në Izrael: Shefi i ushtrisë kundërshton zgjerimin e ofensivës në Gazë, përplasje me Netanyahun

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, po kundërshton zgjerimin e operacioneve tokësore dhe të pozicioneve në Gazë, raportojnë mediat izraelite.

Zamir pritet që në mbledhjen e sotme të kabinetit të paraqesë një raport mbi humbjet financiare që mund të rezultojnë nga vazhdimi i operacionit.

Burime brenda ushtrisë gjithashtu kanë bërë të ditur se konflikti ushtarak mund të zgjasë me muaj dhe se Izraelit do t’i duhej të dërgonte edhe 6 njësi ushtarake shtesë në rajon për të forcuar pozicionet.

Nga ana tjetër, disa zyrtarë brenda qeverisë izraelite kanë njoftuar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë.

Mediat izraelite raportojnë se, nëse Zamir do të injoronte urdhrin e qeverisë, ai mund të shkarkohej nga detyra.

Vlen të theksohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, megjithëse raportimet mediatike sugjerojnë se ai është i prirur drejt zgjerimit të pushtimit.

Pritet që në ditët në vijim të mbahet një takim në të cilin, përveç Netanyahut dhe Zamirit, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Izraelit, përfshirë ministrin e mbrojtjes, Israel Katz.

Në këtë takim mund të merret vendimi për të cilin tashmë kanë raportuar mediat izraelite – zgjerimin e pushtimit të Gazës dhe përpjekjen për vendosjen e kontrollit izraelit mbi këtë territor palestinez.

Kategoritë
BotaLajme