Luiza Gega është konfirmuar si njëra prej atleteve më të mira në Evropë. Të shtunën në Kampionatin Ballkanik në palestër, të mbajtur në Stamboll, vrapuesja e Shqipërisë i fitoi dy medalje të arta. Ajo doli kampione në vrapimin në 1500 metra dhe në vrapimin në 3000 metra.
“Luiza ka dhjetë medalje të arta në Kampionatet e sallave të mbyllura si askush tjetër më parë në historinë e Ballkanit”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Shqipërisë.
Në vrapimin në 1500 metra, Gega fitoi me kohë prej 4:15.84 minuta. Në 1500 metra vrapoi edhe atletja e Kosovës, Gresa Bakraçi që u rendit e gjashta me kohë prej 4:23.01 minuta.
Në 3000 metra vrapim, koha fituese e Gegës ishte 9:07.03 minuta. E dyta ishte turkja Shahin Pelinsu me kohë prej 9:13.18 minuta.
Tek atletet, Shqipëria fitoi medaljen e bronztë në vrapimin stafetë, 4×400 metra. Por në konkurrencë ishin vetëm tri ekipe. Turket fituan të artën me kohë prej 3:46.80 minuta. Kroacia ishte e dyta me kohë prej 3:54.43 minuta, ndërsa Shqipëria e treta me kohë prej 4:07.72 minuta.
Në vrapimin 400 metra, Franko Burraj u rendit i treti me kohë prej 46:89 sekonda.
Ndërkohë atletët e Kosovës nuk zunë vend në podium.
Në vrapimin në 60 metra, Sara Susuri ishte e 12-ta me kohë prej 7:93 sekonda. Në 400 metra, Susuri nuk startoi fare.
Ky ishte kampionati i 28-të ballkanik në palestër. Kanë garuar atletë nga 21 shtete të ndryshme. Garat ballkanike në atletikë janë të forta, ndërsa garojnë edhe atletë që nuk janë të vendeve të regjionit të Ballkanit.
Tek atletet, Rumania ishte më e suksesshmja me tri të arta e një të argjendtë. Shqipëria ishte e dyta me dy të arta e një të bronztë, ndërsa Turqia e treta, me një të artë, pesë të argjendta e dy të bronzta.
Tek atletët, Turqia ishte më e suksesshmja me katër të arta, pesë të argjendta e tri të bronzta. Sllovenia u rendit e dyta me dy të arta e një të argjendtë, ndërsa Greqia ishte e treta me një të artë e dy të argjendta.
Atletët kosovarë përballen me vështirë në mungesë të infrastrukturës së denjë.