Pentagoni: Rrezik për konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak mes SHBA-së dhe Rusisë nëse kriza në Ukrainë nuk zgjidhet

Nëse kriza në Ukrainë përkeqësohet, një konfrontim ushtarak i drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë është i mundur, ka paralajmëruar gjenerali Gregory Guillot, komandant i Komandës Veriore të SHBA-së (USNORTHCOM), në një deklaratë me shkrim drejtuar Senatit amerikan.

Para senatorëve amerikanë, Guillot deklaroi se “probabiliteti për një konflikt të SHBA-së me njërin nga katër kundërshtarët kryesorë – Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin – është në rritje”.

Gjenerali theksoi se, ndonëse këto vende përpiqen të shmangin përplasjet e drejtpërdrejta me SHBA-në, bindja e tyre në “rënien e Perëndimit” po i nxit të sfidojnë Amerikën në arenën globale dhe po rrit rrezikun për llogaritje të gabuara në situata krize.

Guillot përmendi disa skenarë të mundshëm të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë që mund të çojnë në përplasje të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Ai gjithashtu paralajmëroi se situata në Lindjen e Mesme mund të përfshijë SHBA-në në një konflikt ushtarak me Iranin dhe aleatët e tij.

Ai theksoi gjithashtu se tensionet rreth Tajvanit, Detit të Jugut të Kinës dhe Gadishullit Korean paraqesin vazhdimisht rrezik për shpërthim lufte me Kinën ose Korenë e Veriut.

Në deklaratën e tij, gjenerali vuri në dukje për thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, duke përmendur pjesëmarrjen e trupave koreano-veriore në luftime në rajonin rus të Kurskut dhe ushtrimet e përbashkëta ushtarake ruso-kineze në Arktik.

Kthesë e papritur në marrëdhëniet SHBA–Rusi

Megjithë rritjen e tensioneve, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë tregojnë shenja të caktuara normalizimi. Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kontaktet diplomatike ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës janë intensifikuar. Negociatorët e të dyja palëve po vizitojnë SHBA-në dhe Rusinë, ndërsa takime po mbahen edhe në vende të treta si Arabia Saudite.

Gjatë këtyre bisedimeve, palët janë dakorduar për rivendosjen e funksionimit të ambasadave.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve po kthehen në rrugën e normalizimit, duke theksuar përkushtimin e Moskës për dialog të barabartë dhe ekuilibër interesash.

Sipas burimeve ruse, në bisedime është përmendur edhe mundësia e bashkëpunimit në Arktik. Kreu i Fondit Rus për Investime të Drejtpërdrejta, Kiril Dmitriev, ka deklaruar se të dyja palët po shqyrtojnë projekte të përbashkëta, veçanërisht në fushën e hulumtimit të burimeve natyrore dhe energjetike.

Sipas mediave amerikane, përfshirë Bloomberg, Uashingtoni e sheh këtë bashkëpunim si një mjet potencial për të ndarë Rusinë nga Kina, me fokus në interesat ekonomike në rajonin arktik.

Kategoritë
BotaLajme