Pendarovski: Politizimi i regjistrimit është vetëm defokusim nga problemet reale

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se “sfida më e madhe në zbatimin e tij mund të jetë vetëm politizimi i panevojshëm që është krijuar në publik disa kohë më parë”

Në organizim të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takim i kreut shtetëror me përfaqësuesit e të gjithë komunave në shtet, takim i cili u fokusua te zbatimi i regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave që duhet të mbahet në prill të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ishte i pranishëm në ngjarke, tha se ky regjistrim do të kryhet në një periudhë të pazakontë duke pasur parasysh pandeminë e koronavirusit (COVID-19), duke theksuar se problemet në lidhje me regjistrimin nuk janë as ligjore as kushtetuese, as teknike dhe shëndetësore, por “sfida më e madhe në zbatimin e tij mund të jetë vetëm politizimi i panevojshëm që është krijuar në publik disa kohë më parë”.

“Për fat të keq, është e vërtetë që në Ballkan, të drejtat e njeriut shikohen ende përmes prizmit etnik dhe regjistrimi nuk perceptohet si një operacion statistikor, por si një projekt politik. Andaj kur numërohemi në rajon, ende besojmë se forca është në numra dhe se të drejtat tona varen vetëm nga ato numra”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu theksoi se në një vend demokratik me një të ardhme evropiane, të drejtat e fituara nuk guxon të merren por vetëm të rriten, duke shtuar se kjo duhet të vlejë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga numri i tyre.

“Në këtë kuptim, politizimi i regjistrimit është vetëm një defokusim nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa ato janë kryesisht në sferën socio-ekonomike, sundimin e ligjit dhe si pasojë e tyre, shpërngulja. Nëse ka një gjë që duhet të na frikësojë të gjithëve, është numri i qytetarëve të shpërngulur”, tha Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij në këtë ngjarje iu referua rëndësisë së seriozitetit të institucioneve që do të punojnë në kryerjen e regjistrimit për të përmbushur detyrën e tyre, duke filluar me ESHS-në, ministritë që bashkëpunojnë me entin për qëllime të regjistrimit, njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe të gjithë aktorët tjerë që janë të përfshirë në planifikimin dhe përgatitjen e regjistrimit.

“Secili prej tyre ka dhe jep kontribut të madh në zbatimin cilësor të regjistrimit, ndërsa rezultatet do të jenë një bazë e shkëlqyeshme për miratimin e ligjeve dhe politikave të zhvillimit bazuar në të dhëna të sakta të cilat, përsëri, do të jenë me përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët në njësitë e vetëqeverisjes lokale, të cilat bazuar në statistika të sakta do të jenë në gjendje të përdorin një pjesë të mjaftueshme të buxhetit për të financuar shkolla lokale, kopshte, institucione shëndetësore, institucione kulturore, transport publik, rrugë, energji dhe infrastrukturë tjetër që është thelbësore për qytetarët”, tha Xhaferi.

Ai gjithashtu tha se shpreson se muaji prill do të jetë konfirmim për atë se Maqedonia e Veriut është pjekur si shtet pas plot 20 viteve dhe se jemi të gatshëm të jemi anëtare e plotfuqishme e familjes evropiane në një të ardhme të afërt.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se për më shumë se dy muaj vendi do të zbatojë operacionin më të rëndësishëm statistikor, duke theksuar se insiston në termin operacion statistikor, për shkak se, siç tha, sipas vendimeve ligjore regjistrimi do të realizohet vetëm si operacion statistikor në pajtim me standardet e Kombeve të Bashkuara dhe Eurostat-it.

“Para nesh qëndron një detyrë e madhe që ta mbështesim zbatimin e regjistrimit të popullatës, të amvisërive dhe banesave që do të jep një pasqyrë reale faktografike për gjendjen në shtet. Me zbatimin e tij me sukses përfundimisht do t’i rregullojmë edhe pasojat e shkaktuara nga pauza e palejuar e madhe prej 20 vitesh nga regjistrimi i fundit”, tha Zaev.

Përveç presidentit Pendarovsk, kryeparlamentarit Xhaferi, kryeministrit Zaev, në ngjarjen e sotme morën pjesë ministra, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski.

Kategoritë
LajmeRajoni