Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të largohen nga Kuvendi pa u miratuar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Çitaku tha se ky nuk është ligj i PDK-së dhe as ligj që bëhet për këtë parti, por një çështje që lidhet me të ardhmen e Kosovës.
“PDK nuk largohet nga Kuvendi pa miratimin në lexim të dytë për Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nuk është ligj i PDK-së e as për PDK-në. Është ligj për të ardhmen e Kosovës”, tha Çitaku.
Ajo theksoi se për këtë çështje nuk duhet të ketë kompromis dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të jenë në sallë.
“Nuk është ligj për kompromis. Për secilin prej nesh duhet të jetë detyrim. Nuk i bëhet nder, kushtimisht PDK-së po them, por i bëhet nder historisë. Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të jenë me ne në sallë dhe të vazhdojmë me leximin e dytë”, u shpreh Çitaku.

