‘Pastrimi’ ndal shërbimin në Prishtinë, Reçica: Komuna s’na ka paguar asnjë cent, kërkesat tona janë injoruar – Jemi të vetmuar në këtë betejë

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka ndërprerë sot grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.

Dje pasdite, Kompania “Pastrimi” ka njoftuar se për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në një vlerë prej mbi dy milionë euro, kjo kompani është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

lidhur me këtë çështje në një intervistë për GazetaBlic, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Pastrimi, Petrit Reçica, tregon se vazhdimisht kanë kërkuar nga komuna që të gjejnjë një zgjidhje lidhur me këtë situatë, i cili shton se për 5 muaj me radhë, ekipet e KRM Pastrimi kanë ofruar shërbime të rregullta pa marrë asnjë pagesë nga Komuna, përkundër thirrjeve të përsëritura për të kryer obligimet ligjore.

Ai thotë se kanë qenë gjithmonë të gatshëm të gjejnë një zgjidhje, ku thekson se janë injoruar nga Komuna dhe se ende janë në pritje të një takimi me komunën dhe presin një reflektim nga ana e tyre.

“Një pjesë e pagave ende nuk është ekzekutuar. Problemi ka filluar shumë më herët. Përkrahja ka qenë zero dhe kërkesat tona janë injoruar. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje, por mungon vullneti i Komunës. Problemi është mospagesa e Komunës dhe thirrja e jashtëligjshme për të mos paguar në ‘Pastrimi’, por në Komunë”, shtoi ai.

Reçica tregon se në këtë betëjë janë të vetëm dhe se nuk kanë fare përkrahje nga komuna e Prishtinës, ku ai akuzoi Komunën se po tenton ta çojë ndërmarrjen drejt falimentimit për ta zëvendësuar me operatorë privatë.

Ai tregon se nga momenti që ushtron pozitën e kryeshefit në kompaninë Pastrimi është situata e vetme dhe më e padëshirueshme që e kanë përjetuar deri më tani.

Kategoritë
LajmeVendi