Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Kalifornia detyron të pastrehët të largohen nga rrugët

Një vendim i muajit qershor i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara u hapi udhë autoriteteve në mbarë vendin të gjobisin dhe arrestojnë njerëzit që flenë në rrugë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot, kjo masë po çon në një pastrim masiv të tendave të të pastrehëve në shumë qytete të Kalifornisë, përfshirë Los Anxhelosin.

General Dogon thotë se ka patur varësi nga droga dhe ka vuajtur një dënim të gjatë me burg, përpara se të përfundonte në një tendë në qendër të qytetit të Los Anxhelesit. Ai thotë se është tronditëse që Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara po i lejon qytetet të ndalojnë njerëzit të flenë në hapësira publike.

“E them tërë kohës, ata duan të na e bëjnë jetën edhe më të vështirë. Nëse s’kemi ku të shkojmë, s’kemi dhe kaq. Çfarë do të bëjnë? Nuk më intereson se çfarë thotë Gjykata e Lartë”, thotë General Dogon, i cili është i pastrehë.

Rreth një muaj pas vendimit të muajit qershor të Gjykatës së Lartë që autorizonte shtetet të arrestonin të pastrehët, guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom urdhëroi institucionet shtetërore të pastrojnë rrugët. Kjo është mizore, thotë Pete White, drejtor i Rrjetit të Veprimit të Komunitetit në Los Anxhelesit, një organizatë në ndihmë të të varfërve.

“Në një farë mënyre ata po thonë se nuk ka vend për të pastrehët. Pra po thonë se janë të gatshëm të investojnë më shumë para për policinë se sa për strehim. Ata po përpiqen të heqin përgjegjësinë nga kjo krizë sociale”, shprehet ai.

Organizata “Misioni për të Shpëtuar” u ka shërbyer personave të pastrehë në zonë për 130 vjet. Presidenti i përkohshëm i orgnanizatës, Jeff Hudson mbështet vendimin e Gjykatës së Lartë.

“Eshtë një vendim logjik që synon balancimin e të drejtës së individëve që të mund të mbajnë hapur bizneset, dyqanet dhe të drejtës së individëve për të pasur strehë. Pra, Gjykata e Lartë mori anën e individëve që duan të hapin biznese, të punojnë dhe duan të përdorin trotuaret”, shprehet ai.

Sipas zotit Hudson, tani sfida është që të gjendet një çati për pothuasje 70 mijë të pastrehët e qytetit.

Jodi Cobb ka jetuar në rrugë për dhjetë vjet. Sot ajo punon tek organizata “Misioni për të Shpëtuar”. Ajo thotë se për shkak të varësisë nga droga nuk mund të merrte vendimet e duhura dhe largimi i saj me forcë nga rruga e ndihmoi.

“Me urdhër të gjykatave kam qenë në institucione mendore, kam qenë në rehabilitim. Kam qenë në pavijone psikiatrike dhe më thanë se nuk do të punoja më kurrë, por ja ku jam tani”, tregon ajo.

Që nga urdhëri i guvernatorit Newsom, Los Anxhelesi ka raportuar një rënie prej 10 për qind të njerëzve që flenë në rrugë. San Fransisko, i njohur gjerësisht për numrin e të pastrehëve, pas dekadash të tëra, nuk ka më të pastrehë në rrugë. Por aktivistët thonë se pavarësisht këtyre statistikave, numri i personave që kanë nevojë për ndihmë është i njëjtë, por tani ata thjesht nuk shihen në hapësirat publike të qytetit.

Kategoritë
LajmeVendi