– Emmanuel Macron mbërriti në Kuala Lumpur për një vizitë dyditore, ndërsa të dy vendet synojnë t’i ngrenë marrëdhëniet e tyre të kahershme në nivelin e partneritetit strategjik.
Presidenti francez Emmanuel Macron të hënën nisi vizitën e tij të parë zyrtare në Malajzi, ndërsa të dy vendet synojnë t’i ngrenë marrëdhëniet e tyre të kahershme në nivelin e partneritetit strategjik, raportoi media shtetërore, transmeton Anadolu.
Macron mbërriti në Kuala Lumpur për një vizitë dyditore, ku në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuala Lumpurit u prit nga ministri malajzian i Digjitalizimit, Gobind Singh Deo, raportoi agjencia malajziane e lajmeve Bernama.
Vizita shënon udhëtimin e parë të Macronit në Malajzi që nga marrja e detyrës në maj të vitit 2017.
Ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, si dhe nga ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë.
Macron pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me kryeministrin malajzian, Anwar Ibrahim, të martën.
Anwar do të shtrojë gjithashtu një drekë zyrtare për nder të Macronit.
– Tregtia dypalëshe arrin në 4,17 miliardë dollarë
Vëllimi i tregtisë mes Malajzisë dhe Francës arriti në 4,17 miliardë dollarë në vitin 2025. Eksportet e Malajzisë drejt Francës arritën në 1,41 miliardë dollarë, ku produktet elektrike dhe elektronike përbënin pjesën më të madhe.
Importet nga Franca arritën në 2,76 miliardë dollarë dhe përbëheshin kryesisht nga pajisjet e transportit, makineritë dhe produktet kimike.
Franca renditet si partneri i 21-të më i madh tregtar i Malajzisë në nivel global dhe i katërti ndër vendet evropiane