Dy muaj pasi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përballet me mundësinë e një dënimi tjetër nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Më 17 nëntor, gjykata do të shpallë aktgjykimin në një proces të veçantë, ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë.
Nëse shpallet fajtor, Thaçit mund t’i shtohen vite burgimi. Nëse lirohet nga akuzat, dënimi i tij i mëparshëm nuk do të ndryshojë automatikisht.
Ligjëruesi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Mathias Holvoet, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sipas praktikës së gjykatave penale ndërkombëtare, dënimet për pengim të drejtësisë zakonisht u shtohen atyre për krime ndërkombëtare.
Pse po gjykohet Thaçi për herë të dytë?
Procesi lidhet me përpjekjet e dyshuara për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë gjatë gjykimit për krime lufte të Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas aktakuzës, nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, Thaçi dyshohet se u dha informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, gjatë vizitave të tyre në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria pretendon se Thaçi, në bashkëpunim me ta dhe persona të tjerë, u përpoq të ndikonte në dëshmitë e personave të caktuar, me qëllim pengimin e punës së gjykatës.
Ai akuzohet, gjithashtu, se u mor vesh me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë, në kundërshtim me një urdhër gjyqësor.
Sipas aktakuzës, Kuçi kontaktoi edhe një dëshmitar tjetër me nismën e vet.
Thaçi përballet me 11 pika të aktakuzës: tri për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Në deklaratat përmbyllëse, Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj për Kuçin.
Ekipet mbrojtëse i kundërshtuan akuzat dhe kërkuan që të pesë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm.
Gjykimi nisi më 27 shkurt dhe u mbyll më 14 shtator.
Aktgjykimin do ta shpallë gjyqtari Christopher Gosnell.
A mund t’i shtohet dënimi i ri eventual atij prej 25 vjetësh?
Prokuroria ka kërkuar që, nëse Thaçi dënohet me gjashtë vjet burgim, ky dënim t’i shtohet atij prej 25 vjetësh të shqiptuar për krime lufte.
Ligjëruesi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Mathias Holvoet, thotë se një kërkesë e tillë përputhet me praktikën e gjykatave penale ndërkombëtare.
“Nëse shpallet fajtor, ka të ngjarë që të marrë vite shtesë burgimi. Qasja e gjykatave penale ndërkombëtare është që dënimet për krime kundër administrimit të drejtësisë t’u shtohen dënimeve të shqiptuara për krime ndërkombëtare”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Holvoetit, nëse gjykata ndjek kërkesën e Prokurorisë, Thaçi mund të përballet me dy dënime që, së bashku, arrijnë në 31 vjet burgim.
Megjithatë, një rezultat i tillë nuk është i paracaktuar.
Gjykata duhet së pari të vendosë nëse akuzat janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, në rast të një vendimi fajësie, të përcaktojë masën e dënimit.
Kërkesa e Prokurorisë nuk është detyruese për gjykatën.
Edhe kohëzgjatja përfundimtare e burgimit do të varet nga rezultati i proceseve të apelit dhe mënyra e ekzekutimit të dënimeve.
Në aktgjykimin për krime lufte, Thaçit i është njohur koha e kaluar në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Çfarë ndodh nëse Thaçi lirohet nga akuzat?
Një vendim pafajësie më 17 nëntor nuk do ta anulonte dënimin prej 25 vjetësh të shqiptuar në shtator.
Holvoet thotë se në një skenar të tillë nuk pret ndryshime të mëdha në pozitën juridike të Thaçit.
“Nëse lirohet nga akuzat, nuk mendoj se do të ndryshojë shumëçka. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në pritje të apelit në rastin për krime lufte”, thotë ai.
Kjo, sepse të dyja proceset mbështeten në akuza të veçanta.
Një vendim pafajësie në rastin për pengim të drejtësisë do të nënkuptonte se akuzat në atë proces nuk janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm, pa e ndryshuar aktgjykimin për krime lufte, i cili ende nuk është përfundimtar.
A mund të ndikojë aktgjykimi i ri në apel?
Pavarësisht vendimit të 17 nëntorit, Thaçi ka të drejtë ta kundërshtojë në apel dënimin prej 25 vjetësh.
Holvoet nuk pret që aktgjykimi për pengim të drejtësisë të ndikojë në shqyrtimin e atij apeli.
“Nuk mendoj se as lirimi nga akuzat, as dënimi do të kenë – dhe as duhet të kenë – ndonjë ndikim në procesin e apelit. Ato janë dy procedura të ndara”, thotë ai.
Si shembull, ai përmend faktin se, gjatë përcaktimit të dënimit prej 25 vjetësh, trupi gjykues nuk i ka marrë si rrethanë rënduese akuzat e veçanta kundër Thaçit për pengim të drejtësisë.
Por, çfarë ndodh nëse dënimi për krime lufte zvogëlohet ose rrëzohet në apel?
Një vendim i tillë nuk do të anulonte automatikisht një dënim eventual për pengim të drejtësisë, pasi ai do të mbështetej në një aktgjykim të veçantë.
Megjithatë, ndryshimi i dënimit të parë do të mund të ndikonte në kohëzgjatjen e përgjithshme të burgimit, nëse Thaçi dënohet edhe në procesin e dytë.
Edhe aktgjykimi i 17 nëntorit mund të kundërshtohet në apel, sipas procedurave ligjore.
Çfarë vendosi gjykata në rastin për krime lufte?
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara e dënuan Thaçin me 25 vjet burgim për krime lufte.
Në të njëjtin proces, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katërtit u shpallën fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet.
Ata u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi gjykata vlerësoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullatës civile.
Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Çfarë pritet më tej?
Aktgjykimi i shtatorit nuk është përfundimtar.
Palët kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në apel, ndërsa afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit përfundon më 27 nëntor.
Në apel mund të kundërshtohen gabimet e pretenduara në zbatimin e ligjit, në vlerësimin e fakteve dhe në përcaktimin e dënimit.
Paneli i Gjykatës së Apelit mund ta konfirmojë, ndryshojë ose rrëzojë aktgjykimin, sipas kushteve të përcaktuara me ligj.
Kështu, vendimi i 17 nëntorit do të sqarojë nëse Thaçi do të përballet me një dënim tjetër, por jo edhe sa kohë do të kalojë përfundimisht në burg.
