Pas incidentit në ndeshje, KB Bashkimi vendos kamera sigurie në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”

Pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e fundit ndaj KB GO+Peja, ku disa individë hodhën gjësende në drejtim të parketit duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve, KB Bashkimi ka ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, shkruan Gazeta e Re

Klubi ka bërë të ditur se Qendra Sportive “Sezai Surroi” tashmë është e pajisur me kamera sigurie, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e personave të papërgjegjshëm që shkaktojnë incidente gjatë ndeshjeve.

Sipas njoftimit, personat e identifikuar do të raportohen në organet kompetente, do të ndëshkohen ligjërisht dhe ndaj tyre do të zbatohet edhe ndalimi i hyrjes në sallë në të ardhmen.

Këto masa vijnë pas dënimit të KB Bashkimit me 3,200 euro gjobë dhe tre ndeshje pa praninë e tifozëve në tribunën qendrore, dënim që klubi thekson se është pasojë e veprimeve të disa individëve dhe jo e tifozëve korrektë.

Nga KB Bashkimi bëhet thirrje që ndeshjet të përkrahen në frymë sportive dhe përgjegjëse, me qëllim që palestrat të mbesin ambiente të sigurta dhe festive për të gjithë sportdashësit.

Kategoritë
LajmeSportVendi