Pas emërimit si zv.ministër, Pupovci jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Qendrës për Arsim të Kosovës

Dukagjin Pupovci është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pas kësaj ai ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC).

Në një status në Facbook, Pupovci u shpreh se është i vetëdijshëm për të gjitha sfidat e këtij rrugëtimi.

“Pas 21 vjet në krye të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv, ndërsa Bordi e ka emëruar për ushtrues detyre kolegun tim, Petrit Tahiri, të cilit i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në drejtimin e organizatës”, ka shkruar ai ndër tjera.

Më poshtë postimi i plotë:

Prej sot po e filloj një rrugëtim të ri në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Falenderoj Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren Arbërie Nagavci për besimin dhe zotohem se do të punoj me gjithë energjinë për përmirësimin e gjendjes në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Jam i vetëdijshëm për të gjitha sfidat e këtij rrugëtimi dhe mirëpres çdo ide dhe ndihmë për adresimin e problemeve komplekse në këtë fushë.
Pas 21 vjet në krye të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv, ndërsa Bordi e ka emëruar për ushtrues detyre kolegun tim, Petrit Tahiri, të cilit i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në drejtimin e organizatës. I falenderoj të gjithë kolegët dhe anëtarët e Bordit për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në rritjen e organizatës.
Po ashtu, ju falenderoj të gjithëve për urimet dhe fjalët inkurajuese!

Kategoritë
LajmeVendi