Pas bastisjes, buldozerët izraelitë gërmojnë në spitalin Al-Shifa në Gaza

“Tanket u tërhoqën nga kompleksi, por buldozerët ushtarakë u vendosën në kopshtin e oborrit të objektit dhe filluan të kryejnë operacione të gërmimit”, tha një burim mjekësor për Anadolu

Buldozerët izraelitë po kryejnë operacione të gjera gërmimi në terrenin e spitalit Al-Shifa në Gaza, raporton Anadolu.

“Tanket u tërhoqën nga kompleksi, por buldozerët ushtarakë u vendosën në kopshtin e oborrit të objektit dhe filluan të kryejnë operacione të gërmimit”, tha një burim mjekësor për Anadolu.

Ai tha se buldozerët izraelitë kanë rrafshuar plotësisht të gjithë tendat, strukturat dhe gardhet në spitalin Al-Shifa.

“Forcat izraelite kanë vendosur një rrethim të plotë rreth spitalit dhe po shënjestrojnë këdo që lëviz brenda ose jashtë objektit”, tha burimi.

Dje, ushtria izraelite bastisi spitalin Al-Shifa, i cili është spitali më i madh në Rripin e Gazës.

Që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 11.500 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200.

Kategoritë
BotaLajme