Ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka reaguar pas publikimit të lajmit për një aktakuzë të ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale. Ai theksoi se nuk ka marrë ende asnjë thirrje zyrtare nga gjykata dhe se nuk është në dijeni të përmbajtjes së dosjes.
“Ende nuk kam marrë asnjë thirrje nga gjykata, prandaj nuk mund të komentoj për dosjen sepse nuk e kam parë. Në momentin që do të thirrem, jam i gatshëm të paraqitem dhe të jap deklaratën time. Nuk kam bërë asnjë veprim të kundërligjshëm ” deklaroi Damka.
Ai kritikoi faktin që, edhe pse aktakuza ende nuk u është dorëzuar palëve, ajo është bërë temë diskutimi nga partitë opozitare dhe media.
“Është shqetësuese që po flitet për një çështje pa pasur njohuri për përmbajtjen. Dosja ende nuk na ka ardhur. E vërteta dhe faktet do të dalin në dritë gjatë procesit gjyqësor,” shtoi ai.
Ministri Damka mbrojti edhe organizatën që ka mbështetur projektin në fjalë, Caritas Zviceran, duke theksuar se bëhet fjalë për një organizatë serioze e përkrahur nga shteti zviceran, e cila ka ndihmuar Kosovën për më shumë se 25 vite.
“Është për të ardhur keq që përfshihet në polemika një organizatë si Caritas Zviceran, që ka sjellë miliona euro ndihma dhe projekte zhvillimore në Kosovë. Në projektin për të cilin po flitet janë investuar 1.6 milionë euro dhe çdo procedurë ka qenë e hapur dhe transparente,” tha Damka.
Ai përfundoi duke shprehur besim në drejtësinë dhe institucionet e Kosovës, dhe theksoi se i qëndron i bindur se e vërteta do të vërtetohet në gjykatë.