Partia Boshnjake: Kam frikë se po afrohemi momentit kur turqit në Mal të Zi do të duhet të mbajnë shirita në krahë

Deputetja e Partisë Boshnjake në Parlamentin e Malit të Zi, Edina Dešić, ka komentuar në emër të partisë së saj incidentet më të fundit që kanë ndodhur në qytetin e Barit, të cilat lidhen me shkatërrimin e lokaleve në pronësi të shtetasve turq.

Ajo e ka vlerësuar situatën e fundit në Mal të Zi si “histeri antiturke”, duke sqaruar se një atmosferë e tillë është krijuar prej disa muajsh dhe ka kulmuar në Podgoricë, për t’u vazhduar më pas edhe në Bar.

“Sonte në Bar, në shënjestër të ekstremistëve dhe të djathtëve që marrin ‘drejtësinë’ në duart e tyre, ishin dy lokale në pronësi të shtetasve të Republikës së Turqisë, të dyja brenda ndërtesave banimi. Sipas informacioneve që kam dhe pres t’i konfirmoj, kjo nuk është e vetmja ngjarje që ka ndodhur në Bar gjatë natës, në lidhje me pronat e shtetasve turq,” tha Dešić.

Ajo dënoi ashpër demolimin dhe djegien e këtyre lokaleve dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë menjëherë dhe të identifikojnë e të sjellin para drejtësisë autorët e këtij akti.

“Përveçse është një vepër e nxitur nga urrejtja fetare dhe intoleranca, nga ksenofobia dhe islamofobia, ky akt përmban elemente të tjera të rënda penale siç është edhe rrezikimi i përgjithshëm, pasi zjarri në dy ndërtesa banimi ka vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën e qindra qytetarëve që jetojnë aty. U bëj thirrje autoriteteve policore që me masa urgjente e vendimtare të garantojnë sigurinë e njerëzve dhe të pronës në të gjithë territorin e Malit të Zi dhe të mos lejojnë që rruga të qeverisë shtetin, por shteti të sigurojë rrugët,” theksoi Dešić.

Ajo shtoi se Mali i Zi nuk duhet të bëhet një shtet ku ndjekja e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre fetare apo etnike të kthehet në normalitet.

“Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta parandalojnë këtë, ndërsa mbajtësit e funksioneve politike, autoritetet fetare dhe aktivistët e shoqërisë civile duhet të bëjnë thirrje për përmbajtje. Përndryshe, kam frikë se po afrohemi momentit kur turqit në Mal të Zi — dhe me këtë term këtu përfshihet një pjesë e madhe e popullsisë emigrante dhe asaj vendase — do të duhet të mbajnë shirita në krahë dhe të shënojnë shtëpitë e dyqanet e tyre me çarçafë, siç bënë hebrenjtë në Gjermaninë e Hitlerit dhe boshnjakët në Prijedorin e Karaxhiçit,” paralajmëroi ajo.

Në fund, Dešić shtoi: “Do të doja ta mbyllja me ‘Shihemi në BE’, por Mali i Zi i sotëm, ndryshe nga ai i para disa ditësh, më kujton më shumë humnerën e viteve ’90 në ish-Jugosllavi sesa çfarëdo vlere evropiane për të cilën njihet qyteti im, Bari,” thuhet në deklaratën e saj.

Kategoritë
LajmeRajoni