Është zbuluar se Papa i ri, Robert Francis Prevost – i cili mori emrin Leoni XIV – ka shikuar filmin “Conclave” të vitit 2024 për të kuptuar procesin e votimit të fshehtë përpara se të zgjidhej. Udhëheqësi i ri i botës katolike është kardinali me origjinë amerikane, Robert Francis Prevost.
Prevost, i cili tani është udhëheqësi i 267-të i Kishës Katolike, përmes emrit papnor Leoni XIV, ka marrë vëmendje për një rrëfim interesant nga vëllai i tij rreth mënyrës së përgatitjes për konklavën – procesi i përzgjedhjes që zhvillohet në Kapelën Sistine dhe konsiderohet si një procedurë e ndërlikuar dhe e vështirë.
“E SHIKOI FILMIN PËR TË KUPTUAR ZGJEDHJEN”
John Prevost, vëllai i Papës që kishte marrë pjesë më parë në konklavat e viteve 2005 dhe 2013, tregoi se para se të fillonte procesi i votimit të fshehtë nga kardinalët, vëllai i tij e kishte shikuar filmin “Conclave” për të kuptuar më mirë rrjedhën e zgjedhjes së papës.
“E GJETI FILMIN SHUMË TË DOBISHËM”
Sipas gazetës The Telegraph, vëllai i Papës deklaroi: “Ai ishte i mbushur me kureshtje, por edhe me pak shqetësim kur e shikonte filmin. E pa se vizualisht shpjegonte shumë qartë seriozitetin dhe ndërlikimin e procesit.”
SHIKIMI I FILMIT U KRITIKUA
Zyrtarë të Vatikanit theksojnë se interesi i Leoni XIV për median moderne mund të jetë shprehje e vizionit të tij për ta bërë kishën më të afërt dhe më bashkëkohore.
Megjithatë, disa qarqe konservatore e kanë kritikuar faktin që një papë është mbështetur te kultura pop për të kuptuar një proces të shenjtë.
SUBJEKTI I FILMIT
Filmi “Conclave” trajton procesin e përzgjedhjes së Papës së ri pas vdekjes së liderit shpirtëror të botës katolike, përmes votimeve të fshehta në Vatikan mes kardinalëve zgjedhës.
Filmi përshkruan manovrat politike, konfliktet personale dhe tensionin ndërmjet besimit dhe pushtetit që zhvillohen gjatë votimeve në Kapelën Sistine.
Çdo kardinal ka të kaluarën, motivet dhe sekretet e veta, gjë që e bën procesin edhe më kompleks dhe e zhyt shikuesin në një botë intrigash pas një perdeje të shenjtë zgjedhore.
Filmi paraqet në mënyrë të fuqishme vijën e hollë mes besimit dhe natyrës njerëzore.