Të paktën 100 palestinezë u vranë në disa sulme të kryera nga ushtria izraelite në Gazën veriore në agimin e ditës së sotme
Palestinezët në qytetin Beit Lahia në Gazën veriore po ikin nga shtëpitë e tyre duke mbajtur sendet e tyre thelbësore me vete, pasi sulmet ajrore intensive izraelite goditën zonën, raporton Anadolu.
Të paktën 100 palestinezë u vranë në disa sulme të kryera nga ushtria izraelite në Gazën veriore në agimin e ditës së sotme.
Burimet mjekësore thanë për Anadolu se ushtria izraelite kreu “masakra të tmerrshme” duke vënë në shënjestër civilët.
Ata raportuan disa viktima pasi ushtria izraelite shënjestroi një ambulancë në qytetin Jabalia në Gazën veriore, e fundit në një seri sulmesh ndaj mjekëve dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor.
“Deri të premten në mëngjes, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 50 trupa nga nën rrënojat pas sulmeve ajrore izraelite në 11 shtëpi banimi në Gazën veriore”, tha për Anadolu Mahmoud Basal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës.
Basal tha se “mbi 50 të tjerë janë ende të bllokuar nën rrënoja”. Ai paralajmëroi se numri i vërtetë i të vdekurve është shumë më i lartë, pasi ekipet e emergjencës nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në disa zona për shkak të bombardimeve të vazhdueshme në të gjithë enklavën.
Të paktën 53 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.