Këshilli i Lartë i Planifikimit i Izraelit ka miratuar ndërtimin e 2.162 njësive të reja në disa vendbanime ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Autoriteti Palestinez e dënoi vendimin e Izraelit për ndërtimin e 2.162 njësive të reja të vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke kërkuar ndërhyrje të SHBA-së për të ndalur “çmendurinë” izraelite, transmeton Anadolu.
“Të gjitha aktivitetet e vendbanimeve kolone janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe nuk i japin legjitimitet askujt”, thuhet në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Wafa.
Deklarata thekson se vendimi izraelit përbën një “sfidë të hapur ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të OKB-së”, veçanërisht Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila konfirmon paligjshmërinë e vendbanimeve kolone izraelite në të gjitha territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Kudsin Lindor.
Autoriteti palestinez e bëri përgjegjëse qeverinë izraelite për “pasojat serioze” të politikave të vendbanimeve kolone, duke paralajmëruar se ato do ta çojnë rajonin drejt “cikleve të mëtejshme të dhunës dhe përshkallëzimit”.
Ai i bëri thirrje administratës amerikane që të ndërhyjë menjëherë “për të ndalur çmendurinë izraelite, nëse vërtet synon të promovojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në botë”.
Në deklaratë theksohet se populli palestinez do të mbetet “i palëkundur në tokën e tij dhe i përkushtuar ndaj të drejtave të tij legjitime kombëtare”, duke shtuar se planet e paligjshme të vendbanimeve kolone nuk do ta pengojnë vazhdimin e përpjekjeve për krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e 4 qershorit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Deklarata vjen pasi Këshilli i Lartë i Planifikimit i Izraelit miratoi ndërtimin e 2.162 njësive të reja në disa vendbanime ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Planet përfshijnë 1.006 njësi në vendbanimin Gevaot në bllokun Gush Etzion në jug të Betlehemit, 922 njësi në vendbanimin Har Brakha në jug të Nablusit dhe 234 njësi në vendbanimin Kiryat Arba, i ndërtuar në tokë që i përket qytetit të Hebronit.
Palestinezët i shohin këto plane si pjesë e një politike të përshpejtuar izraelite që synon zgjerimin e vendbanimeve ilegale, konfiskimin e tokave palestineze dhe krijimin e “fakteve të reja në terren”.









