Konferenca “Ballkani Perëndimor në BE” u organizua nga Institutit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, në krye të së cilit është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili synon të zëvendësojë emisarin Lajçak në pozitën e tij si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë, përveç që vendet e rajonit të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit Europian.
Për këtë konferencë, Pahor ka shkruar edhe në X. Ai tha se presidentja aktuale e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka përshëndetur mysafirët dhe ka folur për rëndësinë që ky rajon të jetë pjesë e BE-së.
“Ajo vlerësoi se ishte një takim vërtet i rëndësishëm dhe shtoi se ajo vetë i kushton shumë vëmendje dhe energji Ballkanit Perëndimor, pasi është e vetëdijshme për rëndësinë e një të ardhmeje të përbashkët europiane”, ka shkruar Pahor në X.
Javën e kaluar, Pahor ka konfirmuar për agjencinë sllovene të lajmeve STA se është i interesuar për pozicionin që do ta lëshojë Lajçaku.
Paraprakisht, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka deklaruar se e mbështet pa kushte Pahorin në kandidaturën e tij për postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog.