Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, do të vizitojë nesër Prishtinën, vizitë kjo e cila për Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po vlerësohet si provokuese dhe e panevojshme.
Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, ka thënë për KP se data që kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka zgjedhur, është provokuese dhe e panevojshme.
Syla ka thënë se do të ishte mirë nëse Trendafilova do të informonte qytetarët në prani të mediave, e gjithashtu se ka pyetje edhe nga ana e OVL-UÇK.
“Është e papranueshme për neve me ardhë sot kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me na tregu diçka që ne veçse e dimë se si po vazhdon ai proces atje… Kohën të cilën ajo e ka gjetur për të ardhur, e dini se është kohë e përkujtimit të shumë masakrave që kanë ndodhur në vendin tonë të shumë bashkëluftëtarëve. Për neve është provokuese edhe kjo datë, datën që ajo ka gjetur me qenë në Kosovë, me na informuar për diçka, ka qenë krejt e panevojshme. Kjo zonja ka qenë mirë që këtë informacion ta japë në prani të qytetarëve, të mediave e tonën, ndoshta edhe ne si veteranë kemi disa pyetje për Trendafilovën”, ka thënë Syla.
Syla ka shtuar se informatat do të mund t’i japë edhe në forma të tjera dhe pa prezencën e saj në Kosovë.
“Këtë informatë ne kishim mundur me e marrë edhe në forma të tjera, jo që ne kemi diçka kundër zonjës në fjalë, por ne mendojmë që kjo gjykatë trajton vetëm luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e njëanshme, njëetnike dhe prandaj për ne është e papranueshme qysh nga themelimi i kësaj gjykate dhe po ashtu edhe sot tendenca që me provu me na thënë diçka se çfarë po ndodh atje, e në fakt ne jemi duke e parë sepse kemi kontakt me familjarët e bashkëluftëtarëve që i kemi atje, dhe është e papranueshme”, ka shtuar Syla.
Syla ka treguar edhe pyetjet të cilat organizata është e interesuar t’ia bëjë kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
“Kishte qenë mirë me na tregu neve se si po mbahen atje në qendrën e paraburgimit, a mos po u mohohen të drejtat sepse ne jemi duke e parë që janë duke u mohuar të drejtat e bashkëluftëtarëve tonë. Sot bashkëluftëtari jonë që është i akuzuar në kuadrin e disa dëshmive të prodhuara nga prokuroria serbe në këtë rast, nuk ka mundësi me ardhë në varrimin e babait të tij apo vëllait të tij, me ia vu një grusht dhe, dhe për shkak të disa arsyeve që për neve janë të pakuptimta”, ka theksuar ai.
Syla ka bërë të ditur se OVL-UÇK nuk ka organizuar ndonjë protestë për vizitën e Trendafilovës.