Osmani pritet në takim në Bruksel nga presidenti i Parlamentit Evropian

“Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, është shprehur Osmani

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, ka takuar Presidentin e Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Presidenca e Kosovës, Osmani e ka falënderuar Sassoli-n për rolin proaktiv të PE-së në mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejtë Bashkimit Evropian (BE).

Osmani theksoi faktin se PE-ja vazhdon të jetë institucioni më i zëshëm në BE në lidhje me Kosovën. Ajo potencoi në veçanti nevojën që PE-ja të jetë i zëshëm në kërkesën ndaj pesë shteteve jo njohësë të BE-së, në mënyrë që ato ta njohin zz e Kosovës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mos liberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, është shprehur Osmani në takim

Osmani po ashtu ka thënë se roli i Kuvendit të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi duhet të rritet, në mënyrë që të arrihet unifikim i spektrit politik kosovar lidhur me këtë proces.

Më herët gjatë ditës, Osmani është takuar edhe me komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në këtë takim, sipas Presidencës së Kosovës, është diskutuar lidhur me mbështetjen e mëtejme të BE-së në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës, si dhe për planin e investimeve ekonomike.

Ajo tha se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.

Osmani do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Bruksel për dy ditë ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë evropian. Sot gjatë mbrëmjes ajo pritet të takohet me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ndërmjetësues në dialogun Prishtinë-Beograd.

Kategoritë
LajmeVendi