Osmani në Shkup: Nuk duhet t’i lejojmë që të fitojnë tendencat për destabilizim

Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi “kontributin thelbësor” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në shtetndërtimin, shoqërinë dhe institucionet e vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor akoma përballet me sfida dhe tendenca për destabilizim, raporton Anadolu.

Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja Osmani falënderoi Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e ofruar në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

“Si dy shtete që ndajnë vlera të përbashkëta, dy vendet tona do të vazhdojnë të ecin krah për krah njëra-tjetrës në këto përpjekje. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm shtete gjeografikisht afër njëra tjetrës, por mbi të gjitha janë shtete që ndajnë vizionin e njëjtë për të ardhmen”, tha Osmani.

Ajo shtoi se dy vendet kanë nënshkruar mbi 40 marrëveshje dypalëshe, por theksoi se bashkëpunimi dypalësh ka akoma potencial për t’u zgjeruar. Osmani u shpreh se do të shqyrtohet rritja e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe krijimin e pikave të përbashkëta kufitare.

Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi “kontributin thelbësor” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në shtetndërtimin, shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Duke folur për tema rajonale, presidentja Osmani vlerësoi angazhimin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në nismat rajonale dhe kontributin për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

“Megjithatë, në rajonin tonë ka akoma shumë sfida. Ka edhe tendenca për destabilizim të cilat nuk duhet t’i lejojmë që të fitojnë. Gjithsesi, Kosova vazhdon të koordinohet fuqishëm në këto përpjekje me aleatë e partnerë në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, me qëllim stabilitetin afatgjatë”, tha Osmani.

“Mirëpresim marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian”

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se zhvilloi një bisedë pëmbajtësore me presidenten Osmani.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Pendarovski tha se në vitin 2022 shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti në 482 milionë euro, duke e futur Kosovën në listën e 20 vendeve me të cilat Maqedonia e Veriut ka shkëmbim më të lartë tregtar.

Pendarovski theksoi se në takim është biseduar edhe për sfidat aktuale rajonale, me ç’rast është konstatuar se e ardhmja e përbashkët e dy vendeve në strukturat euroatlantike është investim në stabilizimin dhe prosperitetin e mëtejmë të Ballkanit Perëndimor.

“Me këtë rast dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tonë se ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojat e saj në lidhje me proceset reformuese, si në rrugën drejt Bashkimit Evropian ashtu edhe në lidhje me anëtarësimin në Aleancën e NATO-s”, tha Pendarovski.

Ai u shpreh se është biseduar edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve.

“Temë e pashmangshme, natyrisht, ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast rikonfirmova qëndrimin tonë për këtë çështje, që është se ne e mirëpresim marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i së cilit do të kontribuojë në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin, jo vetëm të fqinjëve tanë, por edhe të rajonit në tërësi”, tha Pendarovski.

Më herët, presidentja e Kosovës u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu i saj maqedonas. Presidentja Osmani gjatë vizitës së saj dyditore në Maqedoninë e Veriut do të realizojë takime me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kategoritë
LajmeVendi