Osmani në Parlamentin e Zvicrës: Mirënjohje e përjetshme për mbështetjen ndaj Kosovës dhe thirrje për investime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në  fjalim zyrtar në ndërtesën e Parlamentit të Zvicrës, shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe historike të këtij shteti, raporton Ekonomia Online

“Dhe është pikërisht kjo frymë që bëri që populli i Zvicrës dhe ky vend i mrekullueshëm të qëndronin përkrah popullit tonë në orët tona më të vështira, por edhe në momentet tona më shpresëdhënëse”, tha Presidentja Osmani.

“Ne kurrë, kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Kosova do të mbetet përherë mirënjohëse ndaj Zvicrës dhe gjithë popullit zviceran”, shtoi ajo.

Presidentja nënvizoi kontributin e madh të mërgatës kosovare në Zvicër.

“Sot, qindra mijëra njerëz me prejardhje nga Kosova jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm. Nga dallimi, kemi ndërtuar terren të përbashkët. Kemi thyer barriera dhe kemi ndërtuar ëndrra të përbashkëta… Bijtë dhe bijat e atyre që dikur erdhën si punëtorë dhe refugjatë, sot janë mjekë dhe inxhinierë, artistë dhe sipërmarrës”, tha ajo.

Duke iu referuar me humor futbollit, Osmani përmendi kontributin e yjeve me prejardhje nga Kosova.

“Tani, shpeshherë ata edhe shënojnë gola. Gola epike, madje… Dhe imagjinoj që ministri Beat Jans, për të cilin kam dëgjuar se është një mbështetës i palëkundur i FC Basel-it, do të pajtohej me mua kur them se pa Xherdan Shaqirin, Basel ndoshta nuk do ta kishte fituar atë kampionat këto ditë”, tha ajo.

Ndër të tjera, ajo theksoi mbështetjen vendimtare të Zvicrës për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Zëri i Zvicrës ishte i qartë shumë, shumë herët… Sepse kur ajo u bë vendi i parë në Evropë, përmes Presidentit në atë kohë, që foli hapur se zgjidhja e vetme që do të sillte paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë është pavarësia, liria dhe vetëvendosja për Kosovën”, tha ajo.

Presidentja Osmani u bëri thirrje investitorëve zviceranë që të shikojnë nga Kosova si një vend me potencial të jashtëzakonshëm.

“Dhe në këtë kuptim, një nga bekimet më të mëdha të Kosovës në historinë e saj ka qenë pikërisht fakti që ka pasur partnerë dhe miq pranë vetes. Nga Zvicra dhe shumë të tjerë në Evropë, e deri në Shtetet e Bashkuara – ju keni qëndruar me ne në çdo hap, në çdo sfidë. Dhe mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e palëkundur”.

“Ne jemi një shoqëri e re, dinamike, shumëgjuhëshe, që lulëzon në epokën digjitale, plot energji dhe me etje për të ardhmen. Dhe për investitorët zviceranë, më lejoni t’ju them këtë: Jeni të mirëseardhur në Kosovë. Në çdo qytet dhe në çdo fshat do të gjeni dyer të hapura dhe zemra të hapura, dhe një potencial të jashtëzakonshëm. Mos u çudisni nëse në një fshat ju përshëndesin në dialektin e Bernës dhe në tjetrin në tonet e Zvicrës Lindore. Kjo nuk është ndonjë gabim përkthimi – kjo është mirënjohje. Mirënjohje për ju që u bëtë shtëpia e tyre kur ata u dëbuan nga shtëpitë e tyre të lashta”, tha ajo.

Kategoritë
LajmeVendi