Osmani: Bisedimet për integrim në BE, për Kosovën janë më me rëndësi se bisedimet me Serbinë

“Më me rëndësi se sa bisedimet e Kosovës me Serbinë, janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas mbërritjes në Tiranë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklaratën e saj para Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, tha se më me rëndësi se sa bisedimet e Kosovës me Serbinë, janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.

Pas pritjes në tapetin e kuq nga kryeministri shqiptar Edi Rama, në Tiranë, Osmani tha para mediave se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim.

Ajo tha se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para dy vitesh dhe për fat të keq ky aplikacion nuk është shqyrtuar akoma nga BE-ja.

“Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese për anëtarësim, të ketë veprime konkrete”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se Kosova është 100 për qind në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë.

Ajo tha se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, më parë duhet të flitet për heqjen e masave ndëshkuese nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vet kredibilitetin e BE-së, gjë për të cilën presidentja tha se do të kërkojë edhe sot.

Në kuadër të këtij samiti, presidentja Osmani do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian ndërsa së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.

Gjithashtu, ajo pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Kategoritë
LajmeVendi