Pas një lufte civile 13-vjeçare, opozitarët që morën kontrollin e Sirisë njoftuan se do të japin 10 milionë dollarë për këdo që ndihmon në kapjen e Bashar al-Asadit, i cili është arratisur nga vendi. Me hyrjen e opozitarëve në kryeqytetin Damask, regjimi i Bashar al-Asadit mori fund.
Opozitarët, të cilët rrëzuan regjimin 61-vjeçar të Baasit, njoftuan se kanë marrë kontrollin e Damaskut.
Forcat e ushtrisë së regjimit pranuan rënien e regjimit dhe u tërhoqën.
Bashar al-Asadi, duke mësuar se kishte humbur betejën kundër opozitarëve, u arratis nga pallati i tij në Damask me një avion drejt një vendi ende të panjohur.
“E RRËZUAM ASADIN”
Grupet e armatosura opozitare, të cilat pushtuan televizionin shtetëror sirian në Damask, njoftuan se regjimi ishte rrëzuar plotësisht dhe deklaruan se kishin mundur Asadin.
SHPËRBLIM PËR KAPJEN E TIJ
Ushtarët opozitarë i bënë thirrje sirianëve që jetojnë jashtë vendit: “Mund të ktheheni në një Siri të lirë.”
Opozitarët që morën kontrollin e vendit njoftuan gjithashtu se kushdo që ndihmon në kapjen e Bashar al-Asadit, i cili është larguar nga vendi, do të shpërblehet me 10 milionë dollarë.
ZHVILLIMET NË SIRI
Më 27 nëntor, në perëndim të provincës Aleppo në veri të Sirisë, filluan përleshje mes forcave të regjimit Asad dhe grupeve të armatosura opozitare.
Më 30 nëntor, grupet opozitare morën pjesën më të madhe të qendrës së Aleppos nga forcat e regjimit dhe të njëjtën ditë arritën të marrin kontrollin e përgjithshëm në provincën Idlib.
Pas përleshjeve të ashpra, më 5 dhjetor, opozitarët morën kontrollin e qendrës së qytetit Hama nga forcat e regjimit.
Në provincën strategjike Homs, e cila hap rrugën drejt kryeqytetit Damask, opozitarët fituan territore të reja dhe filluan të përparojnë.
Më 6 dhjetor, opozitarët nisën një operacion ushtarak në provincën Daraa, pranë kufirit me Jordaninë, dhe pas përleshjeve, morën kontrollin e qendrës së provincës.
Më 7 dhjetor, e gjithë provinca Suwayda në jug të Sirisë kaloi nën kontrollin e opozitarëve. Në të njëjtën ditë, opozitarët lokalë morën kontrollin e qendrës së provincës Quneitra.
Në Homs, opozitarët morën kontrollin e qendrës së qytetit më 7 dhjetor.
Grupet opozitare që përparuan në jugperëndim të Damaskut më 7 dhjetor hynë në periferi jugore të kryeqytetit. Forcat e regjimit u tërhoqën nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe aeroporti ndërkombëtar në Damask.
Me fillimin e dominimit të opozitarëve mbi kryeqytet, regjimi Asad humbi të gjithë kontrollin mbi Damaskun mëngjesin e 8 dhjetorit.
Në operacionin “Agimi i Lirisë” të nisur nga Ushtria Kombëtare Siriane kundër organizatës terroriste PKK/YPG më 1 dhjetor në zonën rurale të Aleppos, qendra e qytezës Tel Rifaat u çlirua nga terrori. /Gazeta e Re