Izraeli ka vendosur fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin, pretendojnë katër burime të njohura me çështjen. Sipas CNN-it, këto pozicione janë përdorur për operacione pranë kufirit verior të Iranit.
Sipas raportimit të CNN-it, forcat izraelite kanë vepruar nga disa lokacione në jug të Azerbajxhanit, përgjatë kufirit me Iranin dhe rreth 100 kilometra larg qytetit të Tabrizit, i cili ishte një nga objektivat e sulmeve izraelite gjatë luftës.
Dy nga burimet pohojnë se në terren ishin vendosur edhe njësi speciale komando, të cilat kryenin misione zbulimi dhe operacione me dronë, duke i mundësuar Izraelit mbikëqyrje shtesë mbi pjesën veriore të Iranit.
Sipas të njëjtave burime, rrjeti i pikave sekrete nuk ishte i kufizuar vetëm në Azerbajxhan. CNN raporton se Izraeli kishte pozicione të fshehta edhe në Irak, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somaliland.
Këto lokacione fillimisht ishin planifikuar si pika të mundshme shpëtimi në raste emergjente, por më vonë u zgjeruan në baza ushtarake dhe të inteligjencës, duke i dhënë ushtrisë izraelite një shtrirje shumë më të madhe drejt territorit iranian.
Një nga burimet deklaroi se operacioni në Azerbajxhan përfshinte disa dhjetëra pjesëtarë të forcave speciale, njësi elitare helikopterësh luftarakë dhe shpëtimi, si dhe personel të Mossadit.
Azerbajxhani mohon akuzat
Ambasada e Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara i hodhi poshtë këto pretendime.
“Në mënyrë kategorike i refuzojmë pretendimet e pabazuara për përdorimin e territorit të Azerbajxhanit për operacione kundër vendeve të treta”, thuhet në deklaratën e ambasadës për CNN.
Bashkëpunimi strategjik Izrael–Azerbajxhan
CNN thekson se Izraeli e konsideron prej kohësh Azerbajxhanin si një partner strategjik në përballjen me Iranin.
Sipas burimeve, përgatitjet për operacionet kishin nisur disa javë para sulmeve të para, duke përfshirë vendosjen e pajisjeve për përgjim dhe mjeteve të tjera të inteligjencës përgjatë kufirit me Iranin.
Izraeli dhe Azerbajxhani kanë lidhje të ngushta energjetike dhe ushtarake. Baku furnizon Izraelin me një pjesë të konsiderueshme të naftës së tij, ndërsa Izraeli i shet Azerbajxhanit armë të avancuara.
Një pjesë e këtyre armëve u përdor gjatë konflikteve në Nagorno-Karabak në vitet 2016 dhe 2020 kundër Armenisë. Azerbajxhani ishte gjithashtu vendi i parë i huaj që bleu sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore Iron Dome në vitin 2016.
Eksperti për Iranin në Qendrën për Studime Strategjike Begin-Sadat, Gershon Kogan, theksoi se strategjia izraelite në Azerbajxhan mbetet qëllimisht diskrete.
“Strategjia izraelite në Azerbajxhan vazhdon të mbetet me profil të ulët, duke u mbështetur në transferimin e armëve, bashkëpunimin e inteligjencës dhe ndërvarësinë afatgjatë teknologjike në sektorin e sigurisë”, shkroi Kogan.



















